Anëtari i Kryesisë së PD-së Belind Këlliçi ka vijuar me denoncimet e tij në drejtim të deputetit të PS-së Plarent Ndreca.

Gjatë një deklarate nga selia e Partisë Demokratike, Këlliçi tha se SPAK duhet t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit dhe mandatit për Plarent Ndrecën. Sipas Këlliçit, Ndreca ka fshehur pasurinë.

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Belind Këlliçi:

Të nderuar qytetarë,

Siç ju bëmë me dije pak ditë më parë, Partia Demokratike do të bënte publike fakte të rënda penale në lidhje me ushtarin e mirë Plarent Ndreca.

Si pjesë e Trupës së Lartë Drejtuese e Shtetit Shqiptar që nga viti 2013, Plarent Ndreca ka detyrimin ligjor që të kryejë deklarimin periodik të pasurisë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ILDKPKI.

Në mars të vitit 2016, Plarent Ndreca themelon kompaninë Domus Nostra, në bashkëpronësi me një shtetas tjetër, kompani në të cilën zotëronte 49% të aksioneve. Objekti i aktivitetit të kësaj kompanie, ndër të tjera ishte edhe ofrimi i shërbimeve për administratorët e bashkëpronësisë.

E thënë më thjeshtë për qytetarët, kjo kompani do të bënte menaxhimin dhe trajnimin e administratorëve të pallateve, thënë ndryshe patronazhistëve të pallateve.

Pikërisht kur kreu i 5D Erion Veliaj nisi të projektonte dhe promovonte idenë e nevojës për administrimin e pallateve, çuditërisht krijohet edhe kompania Domus Nostra, e cila në kulmin e kësaj fushate sensibilizuese për këtë nevojë, liçensohet me vetë firmën e kreut të 5D Erion Veliaj. Deri këtu thjesht mund të lindë dyshimi për favorizim të këtij subjekti, i cili nuk deklaroi kurrë bilancet në QKB dhe në prill të vitit 2019 pezullon aktivitetin.

Por Grupi i Ekspertëve pranë PD ka investiguar edhe më tej. Sipas deklaratave të pasurisë të subjektit Plarent Ndreca, të cilat janë publike dhe mund ti aksesojë kushdo në faqen Open Spending Albania, në deklaratën e pasurisë të vitit 2016, Plarent Ndreca nuk deklaron aksionet e zotëruara në këtë kompani.

E njëjta situatë ndodh edhe për deklaratat e pasurisë të vitit 2017 dhe vitit 2018.

Situate ndryshon në deklaratën e pasurisë para fillimit të detyrës së re, si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, në vitin 2019, ku Plarent Ndreca sipas dokumentit në ekran, i deklaron aksionet e kompanisë Domus Nostra duke sqaruar se tashmë subjekti ka pezulluar aktivitetin.

Fshehja e pasurisë është shkelje flagrante e ligjit. Fshehja e pasurisë është vepër penale, për të cilën sot dhe jo nesër, kolegët e Erionit në SPAK, duhet të tërheqin urgjentisht deklaratat e pasurisë së subjektit Plarent Ndreca në ILDKPKI.

SPAK duhet të administrojë dokumentacionin e dorëzuar për regjistrimin e subjektit Domus Nostra pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe pa vonuar të dërgojë në Kuvendin e Shqipërisë, kërkesën për heqjen e imunitetit dhe mandatit të ushtarit të mirë Plarent Ndreca. Në përfundim të kësaj deklarate, kam një pyetje publike për Plarent Ndrecën. Cfarë të kujton prona me numër pasurie 523 e ndodhur në Jalë Vlorë?

I bëj një thirrje publike sërish kolegëve të Erionit në SPAK, që përtej poshtërimit dhe diskretitimit publik që u ka bërë kreu i 5D, të gjejnë kurajon për të zbatuar ligjin duke çuar para drejtësisë cilindo zyrtar, me apo pa imunitet politik, i cili ka shkelur ligjin dhe ka abuzuar me pushtetin.

Koha e përdorimit të drejtësisë si armë kundër opozitës duhet të marrë fund!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb