Komisioni Evropian ka deklaruar të hënën se ka parë “ndërhyrje të paprecedentë” të Rusisë në Moldavi, pasi vendi votoi gjatë fundjavës me një shumicë të vogël në favor të sigurimit të një rruge drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Zëdhënësi i degës ekzekutive të Bashkimit Evropian, Peter Stano, u ka thënë gazetarëve në Bruksel se shërbimet e BE-së po vëzhgonin referendumin e Moldavisë dhe garën presidenciale nga shumë afër.
“Ne vërejtëm se ky votim u zhvillua nën ndërhyrje dhe frikësim të paprecedentë nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj, me qëllim destabilizimin e proceseve demokratike në Republikën e Moldavisë”, ka thënë Stano.
Votimi u mbajt mes pretendimeve të vazhdueshme nga autoritetet moldave se Moska ka intensifikuar një fushatë për të destabilizuar vendin dhe për të prishur rrugën e saj drejt BE-së.