Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, do ta vizitojë sërish Lindjen e Mesme, për herë të 11-të që nga fillimi i luftës në Gazë në tetorin e vitit të kaluar, raporton agjencia “AP”. Vizita e tij vjen ndërsa Izraeli ka intensifikuar sulmet kundër Hezbollahut në Liban dhe po e shqyrton hakmarrjen ndaj Iranit për sulmin me raketa më herët këtë muaj.

Departamenti i Shtetit ka thënë se Blinken do të niset të hënën për një vizitë njëjavore në Izrael dhe disa shtete arabe.

Ky udhëtim ishte i pritshëm pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha javën e kaluar se do ta dërgojë Blinkenin në rajon pas vrasjes së shefit të Hamasit, Yahya Sinwar nga Izraeli, që nga shumë besohet se ka hapur mundësi për bisedime të reja për armëpushim.

“Në të gjithë rajonin, sekretari Blinken do të diskutojë për rëndësinë e përfundimit të luftës në Gazë, sigurimin e lirimit të të gjitha pengjeve dhe lehtësimin e vuajtjeve të popullin palestinez. Ai do të vazhdojë diskutimet mbi planifikimin për periudhën pas konfliktit dhe do të theksojë nevojën për të hartuar një rrugë të re përpara që u mundëson palestinezëve të rindërtojnë jetën e tyre dhe t’i realizojnë aspiratat e tyre të lirë nga tirania e Hamasit”, tha në deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: