Udhëheqësit e Sllovakisë, Hungarisë dhe Serbisë do të takohen të martën për të diskutuar mbrojtjen e kufijve të Bashkimit Evropian kundër migracionit të paligjshëm, ka bërë të ditur të hënën zyra e qeverisë sllovake.
Kryeministri sllovak, Robert Fico dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, të cilët prej kohësh kanë mbajtur qëndrime të ashpra kundër migracionit, do të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Komarno të Sllovakisë për të diskutuar mënyrat për të luftuar flukset e paligjshme, raporton Reuters.
Bashkëpunimi me Serbinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor është kyç për frenimin e flukseve të paligjshme të migracionit, sipas zyrës së qeverisë sllovake. Kjo përfshin masa për forcimin e mbrojtjes së kufijve, mbështetjen e procedurave të azilit të vendeve partnere dhe përafrimin e politikës së vizave me Bashkimin Evropian.
“Një zgjidhje novatore mund të jenë qendrat e jashtme, të ashtuquajturat ‘hotspots’ për përpunimin e kërkesave për azil jashtë BE-së, që aktualisht po vihet në praktikë, për shembull, nga Italia në bashkëpunim me Shqipërinë”, ka thënë zyra.
Italia ka arritur një marrëveshje që emigrantët të procedohen teksa qëndrojnë në Shqipëri, një skemë që disa vende evropiane kanë thënë se mund të përdoret si model.