Policia në Mirditë ka finalizuar operacionin e koduar “Return”. Në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar në total 190 kg drogë në proces tharjeje.
Autori i veprimtarisë kriminale është vënë në pranga katër ditë më parë. Ndërsa, është proceduar penalisht kryetari i fshatit dhe inspektori i pyjeve në zonë.
“Mirditë
Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Return”, në vijim të operacionit “Procesi”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Mirditë, 4 ditë më parë. Shkon 190 kg sasia e lëndës narkotike në proces tharjeje, e sekuestruar gjatë kësaj goditjeje në njësinë administrative Kaçinar.
Gjenden të kultivuara, në fshatin Molaj, 130 bimë Cannabisi, si dhe zbulohen 2 ambiente me çadra, të përshtatura për tharjen e bimëve narkotike. Sekuestrohet nga 2 ambientet, 82 kg lëndë narkotike, në proces tharjeje.
Nga hetimet dyshohet se njëri nga autorët e rastit të goditur rishtas, është shtetasi P. C., i arrestuar 4 ditë më parë. Ndërkaq, vijon puna për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këto raste.
Procedohen në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrave, kryetari i fshatit Molaj dhe një inspektor i pyjeve të zonës.
Në vijim të kontrolleve nga grupe të Komisariatit të Policisë Mirditë, në të gjithë territorin e njësisë administrative Kaçinar, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit dhe prodhimit të Cannabis Sativës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Return”.
Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Molaj, janë gjetur të kultivuara 130 bimë narkotike, si dhe janë zbuluar 2 ambiente me çadra, të përshtatura për tharjen e 82 kilogramëve lëndë narkotike Cannabis Sativa. Si bashkautor për këtë rast, është identifikuar shtetasi P. C., i cili është arrestuar më datë 18.10.2024, gjatë operacionit antidrogë të koduar “Procesi”, si rezultat i të cilit u asgjësuan, në fshatin Shtuf, 108 kg Cannabis Sativa, në procës tharjeje. Punohet për arrestimin e bashkautorëve.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit N. K. dhe N. T., përkatësisht kryetar i fshatit Molaj dhe inspektor i pyjeve të zonës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme”, njofton policia.
(Balkanweb)