Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, në deklaratën për media pas arrestimit të ish-bashkëshortit Ilir Meta tha se nuk do ta vizitojë këtë të fundit në qeli, ku ndodhet prej mesditës së të hënës.
Kryemadhi tha se ka shtatë muaj që nuk flet me presidentin e Partisë së Lirisë, qëkurse, shtoi ajo, nisën procedurat e divorcit. Ajo shtoi se masa e arrestit ndaj Ilir Metës, zhvillon më tej konfliktin e tyre familjar. Kryemadhi tha gjithashtu se konfliktin familjar të familjes së saj nuk do t’ia uronte askujt.
Monika Kryemadhi: Kam 7 muaj që nuk flas me Ilir Metën. Nuk kam më komunikim me të. Ai ka objektivat e veta dhe në këtë çështje do punojmë të ndarë.
Pyetje: A do ta vizitoni Ilir Metën në qeli?
Monika Kryemadhi: Meta nuk pranon të më takojë edhe sikur të dua unë. Masa e arrestit zhvillon më tej konfliktin tonë familjar. Nuk ka arrestim më të madh se arresti shpirtëror. Nuk ia uroj askujt konfliktin tonë familjar.
(BalkanWeb)