Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris po vazhdon të ketë avantazh prej tri pikësh në raport me kandidatin republikan, Donald Trump, sipas sondazhit më të ri të Reuters/Ipsos.
Sondazhi i publikuar të martën thotë se Harris ka marrë mbështetje prej 46% në mesin e votuesve të mundshëm, teksa Trumpi ka marrë 43%.
Kryesimi i Harrisit në sondazhin gjashtë-ditor, i cili u mbyll të hënën, ndryshon pak nga avantazhi i saj prej 45% me 42% ndaj Trumpit në një sondazh të Reuters/Ipsos të kryer një javë më parë, duke përforcuar pikëpamjen se gara është jashtëzakonisht e ngushtë kur kanë mbetur vetëm dy javë të plota deri në ditën e zgjedhjeve.
Sondazhi i ri tregon se votuesit kanë një pikëpamje të zbehtë për gjendjen e ekonomisë dhe emigracionit, dhe ata në përgjithësi favorizojnë qasjen e Trumpit për këto çështje.
Rreth 70% e votuesve të regjistruar në sondazh thanë se kostoja e tyre e jetesës është në rrugën e gabuar, 60% thanë se ekonomia po shkon në drejtimin e gabuar, dhe 65% thanë të njëjtën gjë për politikën e imigracionit.
Votuesit thanë gjithashtu se ekonomia dhe imigracioni, së bashku me kërcënimet ndaj demokracisë, janë problemet më të rëndësishme të vendit. Të pyetur se cili kandidat ka qasje më të mirë për çështjet, Trumpi udhëhoqi në ekonomi me 46% duke lënë Harrisin pas me 38%. Ai po ashtu udhëhoqi për emigracionin me 48%, ndërkaq Harrisi mori 35%.