Barazimi me Tiranën është parë me nota pozitive në kampin dinamovit, edhe pse objektivi ishte fitorja në ndeshjen e luajtur në Vlorë. Për herë të parë në këtë kampionati blutë nuk pësuan gol, por në anën tjetër edhe nuk shënuan. Për mënyrën si shkoi loja, ku kundërshtari goditi dy herë traversën, por edhe duke ditur mungesat që kishin kryeqytetasit, pika merr vlera, aq më tepër që i ka ngjitur ata një shkallë më lart ne renditje, duke përfituar nga rezultatet e rivalëve.

Dinamo e ka mbyllur fazën e parë në vend të 3- të, me 15 pikë, vetëm 1 pikë pas Partizanit të vendit të parë. Menjëherë ka nisur puna për përballjen me Egnatian, që luhet ditën e shtunë në stadiumin e Rrogozhinës.

APELI – Trajneri Ilir Daja shkoi në Vlorë pa katër lojtarë të rëndësishëm. Gudiabi ishte i skualifikuar dhe Hoxha prej kohësh i dëmtuar, ndërsa ditët e fundit humbi për dëmtim edhe portierin Sali dhe mbrojtësin Muzek, të dy për dëmtim. Në fillim të javës anti-Egnatia trajneri blu ka bërë “apelin” dhe për momentin vetëm Gudiabi duket rikthim i sigurt, edhe pse edhe ai ka pasur një shqetësim fizik.

Hoxha do të vazhdojë të mungojë, pasi rikuperimi i gishtit të thyer në ndeshjen me Vllazninë kërkon ende kohë. Sali ka shkuar në Serbi për një rikuperim më të shpejtë te Marijana Kovaçeviç, pas një dëmtimi muskulor që kishte pësuar në stërvitje. Portieri vlonjat do të kthehet ditën e mërkurë në Tiranë dhe mbetet të shihet gjendja e tij, por e vështirë që ai të jetë gati për sfidën me Egnatian ditën e premte.

Gjasat janë që të luajë sërish Teqja, i cili nuk pësoi gol në derbin me Tiranën. Për t’u monitoruar është edhe situata me mbrojtësin kroat Mateo Muzek, i cili ka humbur disa ditë stërvitje. Në këto kushte, trajneri Daja mund të mbështet sërish te skuadra që përballoi derbin, me ndonjë ndryshim të vogël.

DITA-ALIJI – Kundër Tiranës blutë luajtën me një dyshe të re në qendër të mbrojtjes, Ditën dhe Alijin. Asnjëri nuk e ka si pozicion natyral atë të qendërmbrojtësit, por duhet thënë se paraqitja e tyre ishte e mirë, sidomos e Alijit, pasi Dita e ka provuar edhe më parë këtë rol. Rufati dhe Miço nuk i kanë dhënë garanci trajnerit kryeqytetas për një ndeshje të rëndësishme si derbi dhe ai vendosi t’i besojë eksperiencës së Alijit, ish-lojtar i Kombëtares.

Prova u kalua me sukses dhe tani do të shihet se çfarë zgjedhjesh do të bëjë trajneri Daja për përballjen me rrogozhinasit. Disa lojtarë që janë bashkuar me vonesë me skuadrën, apo të tjerë që kanë pasur dëmtime, gradualisht po arrijnë në formën optimale dhe ky është një plus për Dinamon. Bëhet fjalë për emra si Aliji, Toli, Qefalija, Qardaku dhe ndonjë tjetër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb