Bashkimi Evropian akuzoi Rusinë për ndërhyrje “të paprecedentë” në votimet e fundit në Moldavi, të cilat u panë si ndër më të rëndësishmet në historinë post-sovjetike të vendit.
“Bashkimi Evropian dënon ndërhyrjen e pashembullt keqdashëse të Rusisë në zgjedhjet presidenciale dhe referendumin kushtetues të Moldavisë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga shefi i punëve të jashtme të BE-së, Josep Borrell, në emër të 27 vendeve anëtare të bllokut.
Moldavët u thirrën të dielën për të votuar në një referendum kushtetues dhe zgjedhjet presidenciale.
Rezultatet treguan një shumicë e vogël në favor për të përfshirë në kushtetutë kursin pro-Bashkimit Evropian – dhe një fitore në raundin e parë të presidentes aktuale pro-perëndimore, Maia Sandu, e cila do të përballet me balotazhin e zgjedhjeve në nëntor.
Pavarësisht diferencës së ngushtë ne votime, vendet e BE-së mirëpritën rezultatin e referendumit dhe vlerësuan qytetarët moldavë për zgjedhjen e tyre historike.
“Ky votim pasqyron aspiratat e tyre për një Moldavi paqësore, të pavarur, të qëndrueshme, demokratike dhe të begatë”, tha BE-ja
Detajet mbi ndërhyrjen ruse në Moldavi nuk përmenden në deklaratën e BE-së.
Pas votimit, Sandu tha se kishte prova që ishin blerë 300,000 vota.
Për më tepër, dhjetëra milionë euro dyshohet se ishin shpenzuar nga grupet kriminale në bashkëpunim me fuqitë e huaja për të përhapur gënjeshtra dhe propagandë.