Alfred Lela, drejtor i komunikimit dhe shtypit në PD, në rubrikën “Opinion” në News24 duke folur për arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta, tha se ishte në vazhdën e kudravajtjeve, shkeljeve për të goditur opozitën dhe mbrojtur mazhorancën.
Lela tha se në këtë kuadër ishte i pritshëm arrestimi i Ilir Metës. “E reja për mua, që është një e re e shëmtuar ishin pamjet. Na zbuluan paradoksin e drejtësisë, e cila thotë jam amerikane dhe sillet si sovjetike”, tha Lela.
Në vijim ai u shpreh se Ilir Meta ka shkuar në SPAK, i është bindur, dhe nuk i kushtonte gjë që ta kishin thirrur sërish dhe ai do të shkonte.
“Nuk kishte asnjë arsye për të bërë arrestimin në atë formë. Është një qëllim për të dhënë një mesazh ndaj krerëve të opozitës, popullit opozitar dhe kundërshtarëve qoftë majtas apo djathtas. Pse u bë kjo? Kishte Ilir Meta në makinën e tij eksploziv dhe po shkonte drejt ndonjë institucioni të rëndësisë së veçantë? Jo dhe as policia nuk e thotë dot. Ilir Meta po shkonte të takonte ndonjë terrorist? Jo. Atëherë pse duhej të arrestohej në atë formë?”, tha Lela.
Ai tha se Policia është e shtetit dhe ajo që pamë dje është mosrespektimi i mekanizmave të shtetit me qëllim frikësimin e opozicionit.
“Politikani më i vjetër në Shqipëri, në kuptimin e pushtetit, është Edi Rama që mban funksione pa ndërprerje që nga 1998”, tha Lela.
Ai tha se me përjashtim të rasteve të flagrancës, asnjë qytetar nuk mund të ndalohet ose arrestohet në atë formë.
“Ilir Meta ka mbrojtjen e Gardës së Republikës, çfarë do të ndodhte sikur të ishin ata atje? SPAK po vret të drejtën e politikanëve për të folur. Kjo ndodhi në rastin e Ervin Salianjit dhe tani me z.Meta. Pra sinjali që u dha ishte: mos flisni, mos ngrini zërin”, tha Lela.