Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi është paraqitur në GJKKO ku do të zhvillohet një seancë në lidhje me masën e sigurisë.

Kryemadhi tha para se të hynte në seancë se ky është një sistem drejtësie i kastruar, që përdoret për propagandën e qeverisë.

Ajo theksoi se do kërkojë llogari se kush e ka shpërndarë dosjen në media duke nxjerrë sekretin hetimor.

“Po shkoj sot për t’u paraqitur përballë një sistemi drejtësie të kastruar, në qoftë se inteligjencën nuk e kanë aq të zhvilluar sa të kuptojnë se çfarë do të thotë fjala kastruar, për t’u treguar dhe për të kërkuar nga ata kush e ka shpërndarë dosjen në media që ka nxjerrë sekretin hetimor. Pra, për të kuptuar që drejtësia e Edi Ramës nuk është drejtësia që kërkojnë shqiptarët, nuk është drejtësia e partnerëve tanë për të cilën kanë shpenzuar miliona dollarë dhe miliona euro. Do shikojmë dhe fytyrat si i kanë, a do e përballojnë dot apo jo”, tha Kryemadhi.

Ndaj deputetes së Partisë së Lirisë, SPAK ka vendosur masën detyrim paraqitje. Dy ditë më parë u arrestua dhe ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: