Një operacion policor është zhvilluar sot në zonën e Plazhit në Durrës.
Mësohet se është bërë sekuestrimi i një pallati, që dyshohet se është bërë me para krimi.
Pallati është tek Ura e Dajlanit, shumë pranë vijës bregdetare. Ky pallat ka qenë në sekuestro preventive. Ndërtesa është në pronësi të Pëllumb Tudës, që është me precedent penal. Pas sekuestrimit, janë nxjerrë nga banesa familjarë të pronarit, Pëllumb Tuda.
Dyshohet se pallati është bërë me para nga trafiku i lëndëve narkotike. Ndërtesa po sekuestrohet në mënyrë përfundimtare.
Më 1 nëntor 2022, me vendim të Gjykatës së Durrësit, Hotel ‘Colombo’ , me vlerë 1 milionë euro u konfiskua pasi pronari Pëllumb Tuda e ka vënë pasurinë me para të krimit dhe prostitucionit.
Pëllumb Tuda ishte vënë në hetim pasuror dhe gjykata asokohe deklaronte se rezulton e provuar që pasuria e tij është vënë përmes veprimtarive kriminale ku ai ka qenë i përfshirë. Sipas vendimit, hoteli nuk i përshtatet nivelit të të ardhurave të deklaruara. Sipas Prokurorisë, Tuda është dënuar për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje dhe hotelin në zonën e Plazhit në Durrës e kishte në emrin e tij.
Vendimi i Gjykatës së Durrësit më 1 nëntor 2022
‘Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi konfiskimin e pasurisë në emër të shtetasit P.T., pallat, objekt hotel dhe bar në Plazh Durrës, me vlerë 1,000,000 Euro. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor për procedimin pasuror nr. 2/2020, regjistruar ndaj subjektit hetimor shtetasit P.T., banues në Plazh, Durrës, rezultoi e provuar se ekzistojnë kushtet ligjore për sekuestrimin e pasurive të luajtshme/të paluajtshme që rezultojnë në emër të të dyshuarit P.T., për këto arsye:
Së pari: Ekziston përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi P.T., është i përfshirë në veprimtari kriminale të “Pastrimit i produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, “Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i K.Penal, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, parashikuar nga neni 114 i K.Penal dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, parashikuar nga neni 278 i K Penal, pasi ndaj këtij shtetasi është ngritur akuzë për kryerje të kësaj vepre penale dhe është dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Së dyti: Shtetasi P.T., zotëron drejtpërsëdrejt në emër të tij pasuritë, objekt sekuestrimi.
Shtetasi P.T., përfshihet në rrethin e subjekteve, mbi pasuritë e të cilëve shihen nga dispozitat e Ligjit Antimafia nenet 3/1 dhe 2/a.
Së treti: Provohet që vlera e pasurive, objekt sekuestrimi, nuk i përshtatet dukshëm nivelit të të ardhurave, nuk i përgjigjen ndonjë aktiviteti të ligjshëm të deklaruar apo të konfirmuar. Mbi këtë bazë me Vendimin nr. 217, datë 09.06.2020 Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur: 1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës: Konfiskimin e pasurisë së mëposhtme në emër të shtetasit P.T., pasurinë pallat, objekt Hotel + Bar në Plazh Durrës me vlerë 1,000,000 Euro.’
………………………………………………………………………….
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë është apeluar. Edhe Apeli ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë për konfiskimin. Edhe pse kishte një vendim të formës së prerë dyshohet se ka patur rikthim të aktivitetit në hotel, prandaj edhe policia ndërhyrë sot duke nxjerrë jashtë personat që ndodheshin brenda për të kryer konfiskimin.
(Balkanweb)