Deputetët e PD-së nisin protestën para Parlamentit Europian në Strasburg. Gazetari Osman Stafa ka siguruar për “BalkanWeb” pamje nga grumbullimi i deputetëve demokratë para institucionit, teksa janë afruar edhe mbështetës. Disa prej tyre mbajnë pankarta në duar.

Deputetja Dhurata Cupi mban një pankartë në anglisht ku thuhet “Duam t’i bashkohemi Europës, jo me varka”.

Deputetja tjetër e PD-së Elda Hoti mbante një pankartë “Lironi deputetin Salianji”!

Deputetët Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, janë takuar me eurodeputetët z. Lukas MANDL dhe z. Davor Ivo STIER, përfaqësuesë të grupit parlamentar të EPP në Parlamentin Europian.

Ndërsa deputetët e tjerë kanë shpalosur pankarta para Parlamentit Europian dhe do të protestojnë për një kohë të caktuar për të tërhequr vëmendjen e europianëve për situatën në Shqipëri që ata e cilësojnë ngjizjen e një regjimi diktatorial.

Gazetari Stafa tha se 30 deputetë ndodhen në Strasburg për të protestuar para Parlamentit Europian, në të njëjtën ditë kur PE mblidhet në seancë plenare. Burgosja e Salianjit, mosvotimi i PS për vendimin e GJK, lidhjet e qeverisë me krimin, korrupsioni janë disa nga çështjet e diskutimit në fokus të takimeve të deputetëve të PD-së me europarlamentarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: