Kanë mbetur vetëm dy ditë nga takimi i parë kundër Norvegjisë dhe ekipi kombëtar për vajza po përgatitet intensivisht që të marrë rezultat pozitiv dhe të sigurojë për herë të parë një kualifikim në finalet e Europianit 2025.

Skuadra po stërvitet në Shkodër dhe çdo gjë ka vijuar normalisht, teksa fatmirësisht nuk ka pasur asnjë problem për ekipin e trajnerit Armir Grima. Tre futbollistet e përfaqësueses kuqezi, Esmeralda Franja, Endrina Elezaj dhe Eriola Delija vlerësuan Norvegjinë, por besojnë edhe te forca që ka Kombëtarja shqiptare e vajzave.

Franja nënvizoi se skuadra duhet të japë më shumë se 100% në fushën e lojës, ndërsa komentoi edhe emrat e rinj dhe rikthimet në skuadër. “Janë dy ndeshje mjaft të rëndësishme për ne sepse ekipi i Norvegjisë është shumë i fortë dhe ne duhet të japim më shumë se 100% për të marrë rezultate pozitive. Por gjithsesi ne do të japim maksimumin në fushën e lojës dhe pse jo të marrim një rezultat pozitiv. U bënë disa vite si pjesë e Kombëtares dhe për mua është privilegj të përfaqësoj Shqipërinë. Natyrisht që do të ketë edhe prurje të reja, sepse ekipi kombëtar ka nevojë për vajza të reja dhe gjak të ri që të  japin më të mirën për Shqipërinë. I kemi pritur mirë. Duhet të ketë frymë të re në ekip dhe të japin maksimumin në ekip dhe pse jo të vazhdojnë dhe të kontribuojnë për Kombëtaren” – tha Esmeralda Franja, e cila foli edhe për ekipin kundërshtar dhe gjithashtu, ftoi tifozët shqiptarë t’i mbështesin në këtë sfidë vendimtare.

“Janë shumë ndeshje të vështira sepse ekipi i Norvegjisë ka shumë vajza që luajnë nëpër ekipe shumë të forta të kampionateve të Spanjës, Anglisë, Francës. Është e vështirë për ne, por do të japim maksimumin që të marrim një rezultat pozitiv. Shumë herë kemi luajtur me Kombëtaren në Shkodër dhe mendoj se kemi pasur paraqitje shumë të mira dhe mendoj se është një stadium ku kemi fat. Është pozitive për ne, sepse futbollistet kanë nevojë për mbështetje. Edhe për ne si vajza që luajmë te Vllaznia, është shtëpia jonë dhe ndihemi mirë që do të luajmë në stadiumin “Loro Boriçi”. I bëj thirrje tifozëve të vijnë dhe të na mbështesin sepse mbështetja e tyre mund të na japë një shtysë më tepër në ditën e ndeshjes” – nënvizoi ndër të tjera Esmeralda Franja.

Endrina Elezaj është një emër i rikthyer në Kombëtaren shqiptare. Mbrojtësja kuqezi ka lënë pas dëmtimin e gjatë dhe tashmë pret të japë kontributin e saj me skuadrën. “Më ka munguar Kombëtarja. Është nder dhe kënaqësi përfaqësimi i Kombëtares kuqezi. Atmosfera është gjithmonë e mirë. Jemi një grup homogjen, jemi bërë si një familje e madhe. Familja kuqezi. Unë do të jap maksimumin për Shqipërinë, siç e kam dhënë në çdo grumbullim që kam qenë e pranishme, me të gjitha forcat dhe mundësitë e mia do ta mbroj ekipin.

Elezaj komenton edhe kalimin te skuadra e Dinamo Zagrebit, ndërsa jep edhe një mesazh për të gjithë tifozët e Kombëtares. “Më ka ndihmuar kampionati kroat dhe ekipi i Dinamo Zagrebit ku luaj momentalisht. Niveli i profesionalizmit është shumë i lartë. Paraqitja ime dhe forma e mirë te Dinamo Zagrebi më japin mundësinë që të përfaqësoj sa më mirë Shqipërinë dhe të jap një kontribut sa më të madh. Tifozët? I bëj thirrje të gjithë tifozëve që i presim në ndeshjen e play-off kundër Norvegjisë. Është një kundërshtar i nivelit të lartë po nuk kemi pse ndihemi inferiorë. Jemi të mobilizuara mjaft mirë dhe të përgatitura. Kemi futbolliste nga e gjithë Shqipëria dhe besojmë në fitore. Pse jo” – është mesazhi i Endrina Elezajt.

Eriola Delija rikthehet në ekipin kuqezi pas aventurës me skuadrën në miqësoret e Maltës. Tashmë mesfushorja me origjinë shqiptare mund të japë kontributin e saj edhe në ndeshje zyrtare me Kombëtaren dhe të japë maksimumin ajo dhe e gjithë skuadra. Delija rrëfen edhe emocionet e grumbullimit. “Normalisht kam emocione që jam lojtare e re e Kombëtares A. Kemi qenë në një grumbullim në Maltë, ndeshje miqësore dhe kisha mundësinë të tregoja veten, dhashë maksimumin aty. Besoj që ndeshjen nuk duhet ta marrim me stres. Duhet të japim maksimumin që t’i kënaqim njerëzit që do të vijnë të na shohin dhe të na përkrahin. Fillimisht dua të integrohem me ekipin” – tregon Delija, e cila fton edhe tifozët t’i mbështesin në stadium.

“Po, shpresoj që do të kemi shumë tifozë në stadium. E gjithë familja ime do të vijë dhe i falënderojë të gjithë ato që do të vijnë. Shpresoj që do të na mbështesin, pasi është ndeshje e rëndësishme dhe kemi shumë nevojë për përkrahje” – thotë Eriola Delija.

Federata e Futbollit fton të gjithë tifozët shqiptarë të mbështesin Kombëtaren e vajzave në këto dy ndeshje mjaft të rëndësishme ndaj Norvegjisë. Prania e tyre në stadiumin “Loro Boriçi” më 25 tetor, në ora 16:00 do t’i jepte më shumë zemër ekipit për të kaluar me sukses këtë sfidë. Hyrja në stadium do të jetë falas.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb