Dinamo do të humbasë për një kohë të gjatë mbrojtësin kroat, Mateo Muzek. Dëmtimi i tij është më serioz nga sa u mendua dhe sipas të gjitha gjasave, e ka mbyllur vitin 2024.Mateo-MuzekMuzek ka probleme me meniskun dhe duket se është e nevojshme të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale, çka do të thotë se koha e rikuperimit të tij është relativisht e gjatë. Kroati 29-vjeçar, i ardhur në skuadër gjatë merkatos së verës, e nisi kampionatin si titullar dhe ka luajtur 8 ndeshje me fanellën e Dinamos, para se të mungonte në derbin me Tiranën pikërisht për shkak të dëmtimit.
Blutë humbasin kështu të dy qendërmbrojtësit titullarë, pasi disa javë më parë ishte Rustem Hoxha që u dëmtua dhe ka munguar në ndeshjet e fundit. Durrsaku theu gishtin në sfidën me Vllazninë dhe aktualisht është në fazën e rikuperimit, por do t’i duhet ende kohë për të qenë gati për trajnerin Ilir Daja. Në qendër të mbrojtje ka luajtur shpesh kapiteni Bruno Dita, i cili në derbi kishte si partner Naser Alijin.
Kryeqytetasit kanë në skuadër edhe dy qendërmbrojtës të tjerë, Agron Rufatin dhe Antonio Miçon, por i pari ka luajtur vetëm pak minuta ndaj Laçit, kurse i dyti nuk ka debutuar ende me fanellën blu. Në këto kushte, njëri prej tyre do të ketë shansin të tregojë vlerat, duke luajtur si titullar, nëse do të bindë trajnerin Daja. Ky i fundit u shpreh para ndeshjes me Tiranën se skuadra duhet të mësohet me mungesat, që për shkak kartonësh dhe dëmtimesh janë bashkudhëtarë të kampionatit. Dinamo ka fatin që ka një organikë të pasur.