Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në shenjë simbolike iu drejtua Strasburgut për të protestuar, siç shprehen demokratët, “kundër inkriminimit të qeverisë Rama, zgjedhjeve të blera nga krimi i organizuar dhe narkomafia”. Kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi dhe numri 2 i PD, Agron Gjekmarkaj, deputetet Dhurata Çupi, Albana Vokshi dhe Jorida Tabaku zhvilluan takime informale me drejtues të grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, ndërsa jashtë selisë së PE-së ndodhej grupi parlamentar i PD në një manifestim sensibilizues.
Deputetët demokratë mbanin në duar pankarta me mesazhe drejtuar europarlamentarëve: “Liri për Berishën, “Shqipëria- Parti Shtet”, Duam t’i bashkohemi Europës, jo me varka”, Zgjedhjet në Shqipëri si të Stalinit – Ka rëndësi kush numëron, jo kush voton!, “Liri për deputetin Salianji”, etj. Deputetët demokratë e quajtën të domosdoshme këtë protestë simbolike në Strasburg.
Edi Paloka theksoi se sensibilizimi i europarlamentarëve ka të bëjë me situatën në Shqipëri. Është vërtetuar tashmë, tha ai, që Rama shet çdo interes dhe çdo gjë të shqiptarëve për të përfituar pak mbështetje që ai e quan mbështetje ndërkombëtare.
“Ne duhet të sensibilizojmë të gjitha institucionet ndërkombëtare për atë që po ndodh në Shqipëri. Një situatë që po rëndohet çdo ditë e më shumë. Nuk jemi në prag-diktature, jemi në diktaturë. Ajo që ndodhi me ish-presidentin me një rrëmbim banditesk i bërë qëllimisht nga Edi Rama nuk duhet të ketë asnjë dyshim se pas një akti të tillë është dora e Edi Ramës është si të thuash fundi i asaj që konsiderohet demokraci në Shqipëri. Sali Berisha jo vetëm u njoh si Kryetar i Partisë Demokratike por iu kërkua në emër të Partive Popullore që të dërgojë përfaqësues të Partisë Demokratike”, tha Paloka.
Dhurata Çupi deklaroi se deputetët e PD “kanë shkuar me dosje në Parlamentin Europian për atë që po ndodh në Shqipëri”. Çupi shtoi se “kjo është një fushatë sensibilizimi, qoftë brenda nëpërmjet një marrëdhënie të kufizuar me Parlamentin apo protestave të vazhdueshme si opozitë, por qoftë dhe në kontakte me ndërkombëtarët”. Ajo përcolli dhe komentin e një prej ndërkombëtarëve në takimin me deputetët e PD. “Do doja edhe për ju të deklaroja që gjatë një takimi të kolegëve tanë brenda, një nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që ishte në takim komunikonte me fjali të tilla që ne jemi të surprizuar dhe të shokuar nga të dhënat që vijnë nga Shqipëria. Sigurisht grupi parlamentar ka dosje, ka dokumentacion të plotë, ku në kontakte me ndërkombëtarët iu ka paraqitur se çfarë ndodh në Shqipëri”, tha deputetja demokrate.
Tomorr Alizoti tha për mediat se PD duhet në mënyrë urgjente të vendosë kontakte me europarlamentarët, me anëtarët e CDU, anëtarët e partive të djathta. “PD duhet të përceptohet si një parti e qendrës së djathtë”, tha Alizoti.
Deputeti Dashnor Sula tha se duhet t’i tregohet opinionit ndërkombëtar që Shqipëria nuk është ashtu siç e përshkruan Edi Rama.
“Po të bësh një paralele mes PE-së dhe Parlamentit Shqiptar diferencat janë me shekuj, në një errësirë ku është Parlamenti Shqiptar dhe PE ku është simboli i demokracisë”, tha deputeti Sula.
Për deputeten Lindita Metaliaj Partia Demokratike po sensibilizon europarlametarët për t’i bërë një skaner situatës së rëndë dhe dramatike në të cilën ndodhet Shqipëria.
“Jemi në një vit paraelektoral ku në 2025 kemi zgjedhjet parlamengtare dhe në një vend ku është asgjësuar Kushtetuta dhe nuk ekziston shteti ligjor, ku janë eleminuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje pa Ramën kryeministër”, tha Metaliaj.
Deputeti Petrit Doda ritheksoi se opozita proteston për të drejtat e qytetarëve sepse Rama kërkon të asgjesojë opozitën.
Deputetët demokratë do të vijojnë takimet me përfaqësues të rëndësishëm të Parlamentit Europian.
(BalkanWeb)