Një 44-vjeçar u arrestua nga Policia e Korçës disa muaj pasi kishte kanosur për jetën përmes rrjeteve sociale një shtetas dhe familjarët e tij.
Policia njoftoi se finalizoi operacionin “Accounts” duke vënë në pranga shtetasin Adrian Kroji.
Kroji dyshohet se kanosi për jetën një shtetas dhe familjarët e tij, që t’i jepnin para.
Për këtë rast, në muajin qershor, u arrestua bashkëpunëtori i 44-vjeçarit, shtetasi Kreshnik Aliaj.
Nga hetimet dyshohet se Kroji, në muajin mars, në bashkëpunim me shtetasin Aliaj, ka kanosur për jetën një 37-vjeçar dhe familjarët e tij, për t’i dhënë shuma parash nga 2000 deri në 6000 euro.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, si rezultat i një hetimi të kryer për disa muaj, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, për një rast të kanosjes në rrjete sociale, për dhënie pasurie, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Accounts”.
Gjatë këtij operacioni u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim A. K., 44 vjeç, banues në Korçë, për të cilin Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në muajin mars, në bashkëpunim me shtetasin K. A. (i arrestuar në muajin qershor), ka kanosur për jetën një 37-vjeçar dhe familjarët e tij, për t’i dhënë shuma parash nga 2000 deri në 6000 euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionkt të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia.