Në Ballsh nuk kanë bërë pushime, por kanë nisur përgatitjet menjëherë pas sfidës me korçarët. Ekipi ka qëndruar në grumbullim, duke u përgatitur për sfidën me Teutën.

Në Ballsh tashmë do të tentojnë kthesën dhe shansin e rikuperimit të pikëve, por edhe të ndalin vrullin e Teutës. Mallakastriotët do të presin në shtëpinë e tyre të premten një nga ekipet më në formë të Superiores në javët e fundit, pasi kanë 4 ndeshje që nuk munden. Te Bylisi, përpos rezultateve të fundit, kanë besim se ky grup mund të bëjë edhe më mirë dhe trajneri Dede bashkë me stafin kanë punuar shumë edhe nga ana psikologjike me skuadrën, por edhe me individë të veçantë brenda ekipit.

Bylisi nga ana tjetër synon që të lërë sa më shpejt fundin e tabelës që është kthyer në një “makth” për mallakastriotët. Ashtu si në çdo javë edhe ndaj durrsakëve, ballshiotët do të kenë mungesa, ku anësori i djathtë Laert Papa mund të mos jetë, pasi ende nuk është rikuperuar 100 për qind. Ajo që bie në sy është fakti se disa lojtarë nga ata që janë afruar gjatë verës, janë të dëmtuar, por edhe nuk kanë dhënë atë që pritej, ndaj edhe mbetet për t’u parë e ardhmja e tyre me mallakastriotët.

TESTI-Bylisi pret Teutën të premten në orën 14:00, por duket se trajneri Nevil Dede dhe stafi i tij do të shohin sot performancën e një pjesë të lojtarëve, të cilët do t’i aktivizojnë me skuadrën U21. Pritet që t’u jepet shansi edhe atyre që luajtën pak me Skënderbeun, ose nuk patën minuta fare, për të qenë sa më të karikuar ndaj durrsakëve. Me vetëm 5 pikë në 9 javë, ballshiotët kanë bërë një paraqitje zhgënjyese madje edhe në shtëpi duke mos mundur as skuadra rivale në betejën mbijetesës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb