Ish-Presidenti i Republikës Ilir Meta është dërguar në ambientet e paraburgimit në burgun 313 në Tiranë pasi GJKKO konfirmoi masën e arrestit ndaj tij.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, mbrëmjen e sotme Meta do të qëndrojë në dhomën e observimit.
Aty ai do të intervistohet nga punonjësit e burgjeve nëse ka konflikte me të paraburgosurit e tjerë, në mënyrë që të identifikojë personat e mundshëm me të cilët mund të ketë konflikte.
Kjo procedurë do të ndiqet për Metën në mënyrë që të evitohen sulmet e mundshme ndaj tij për arsye të detyrave të rëndësishme që ai ka mbajtur.
Meta ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë, kryetar i Parlamentit, President, si edhe ministër në disa dikastere përgjatë karrierës së tij mbi 30-vjeçare.
Lala zbuloi se nëse Meta thotë se nuk ka konflikte, ai mund të vendoset në një sektor me të paraburgosurit e tjerë.