Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi kritikoi ashpër vendimin e fundit të GJKKO për konfirmimin e arrestit me burg ndaj Ilir Metës duke e cilësuar atë si një akt të rëndë që konfirmon rënien e shtetit ligjor në Shqipëri.

Ai theksoi se ky vendim shërben për të forcuar kontrollin e narkoshtetit dhe për të shërbyer axhendave personale dhe politike të Edi Ramës.

Ai e ka përshkruar burgosjen e Metës si një akt politik dhe të pabazuar, që pason skenarët për eliminimin e tij fizik.

“Ky vendim i turpshëm dhe i neveritshëm i gjykatës është pjesë e një aksioni të organizuar nga narkoshteti dhe mafia ndërkombëtare,” tha Blushi. Ai akuzoi hetuesit dhe prokurorët që punojnë nën direktivat e qeverisë për krimin e organizuar dhe për rolin e tyre në diskriminimin e opozitës.

“Ky është një akt shumë i rëndë që konfirmon rënien e shtetit ligjor, kapjen për fyti dhe asgjësimin e drejtësisë së vendosur në shërbim të narkoshtetit dhe axhendave personale e politike të Edi Ramës.
Ky vendim i turpshëm dhe i neveritshëm i gjykatës kombëtare kundër opozitës që konfirmon rrëshqitjen e Shqipërisë në diktaturë nuk është gjë tjetër veçse vijim i aksionit të narkoshtetit dhe mafias ndërkombëtare kundër Presidentit Ilir Meta, opozitarizmit të vërtetë dhe demokracisë që u konsumua nga terroristi Altin Dumani dhe hetuesi i diktaturës Arben Kraja. Burgosja e Ilir Metës pa prova e dëshmi që vjen fill pas skenarit për eliminimin e tij fizik provon kriminalizimin dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë nga ramaforma, që janë kthyer në vrasës me pagesë të opozitës.
Ilir Meta është sot i burgosur politik vetëm për shkak të qëndrimeve të tij shumë të drejta e parimore, patriotike e qytetare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe sovranitetit të Shqipërisë”, u shpreh Blushi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb