Me “tripletën” e realizuar përballë Bayern Munich, Raphinha u shpall lojtari i ndeshjes. Nuk kishte mënyrë më të bukur për të festuar ndeshjen e tij të 100 me fanellën e Barçës se sa ky tregolsh kundër një ekipi të madh. Sulmuesi brazilian nuk e fshehu gëzimin e tij për këtë paraqitje të madhe, por mendon se ndeshja e tij më e mirë në Champions nuk ka ardhur ende:

“Ishte një natë e madhe. Jam shumë i lumtur për këtë ndeshje, për atë që dhamë të gjithë, ishte një ndeshje e bukur si një skuadër. A ishte kjo ndeshje më e mirë në Champions? Jo, mendoj se është një nga më të mirat, më e mira duhet ende të vijë”.

Nuk e fshehu gëzimin për këtë fitore të madhe as Hansi Flick. Trajneri i Barçës, pasi i bëri komplimente homologut të tij, u ndal gjatë te paraqitja e Raphinha-s: “Ai është shembulli më i mirë se si mund të funksionojë një skuadër. Bën shumë presion, ka një dinamikë të shkëlqyer, punon shumë dhe në stërvitje. Nuk kam pasur kurrë një lojtar si ai që ndihmon kaq shumë ekipin”.

Nuk e priti mirë këtë humbje trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany: “Nuk ka justifikime, ishte një humbje e pastër. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të mësojmë nga kjo humbje”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb