Prokuroria e Tiranës njofton se ka dërguar në gjyq Fatjon Muratin, i shpallur në kërkim për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike. Fatjon Murati dyshohet i përfshirë në masakrën e Fushë Krujës ku u ekzekutua Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Atij i është bërë edhe një atentat në zonën e Don Boskos, në lokalin e tij, ku plumbat i morën jetën banakieres Mimoza Paja. Ngjarja u hetua si hakmarrje mes grupeve kriminale.
Gjithashtu, Prokuroria ka sekuestruar edhe disa prona në emër të Muratit, ku përfshihen disa automjete, apartament, njësi kati nëntokë me objekt 6 katësh.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin, shtetasin F.M. për veprën penale të ‘Pastrim të produkteve të veprës penale apo përfshirjes në veprimtari kriminale’ parashikuar nga neni 287/a i Kodit Penal.
Nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për procedimin penal nr.2600/2018, rezultoi e provuar se, ky shtetas, me anë të pasurisë (para cash) të krijuar nga veprimtaria e kundraligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezerve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona.
Konkretisht;
– Njësi, kati nëntokë në objekt 6 katësh, sipërfaqe 317 m2, adresë Albanopoli, Tiranë në pronësi të nënës;
– Automjet Citroen;
– Automjet Mercedes Benz; dhe
– Automjet Daimler.
Këto pasuri në emër të nënës dhe 3 automjetet në emër të subjektit dhe vëllezërve nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të realizuara prej tyre.
Sa më sipër, nga hetimet paraprake rezulton e provuar se ka të dhëna të mjaftueshme që të krijojnë bindjen se i pandehuri F.M., ka konsumuar plotësisht elementët e figures së veprës penale të parashikuar nga neni 287/a i K.Penal. Në materialin referues thuhej se shtetasi F.M. në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë, vepronin si pjesë e një organizate kriminale, të arrestuar nga policia italiane, fillimisht me tendencë vjedhje dhe më pas e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal, duke përfshirë edhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Shtetasi F.M. është aktualisht i kërkuar në nivel kombëtar për evazion në vitin 2015, ‘pranimin e mallrave të vjedhura’, ‘posedim abuziv të armëve’, ‘Pjesëmarrjes në krime’ dhe për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Kush është Fatjon Murati?
Emri i Fatjon Muratit ka dalë disa herë në skenë. Ai i shpëtoi një atentati më 12 mars 2023, të bërë në lokalin në pronësi të tij në zonën e ‘Don Boskos’ ku u vra banakierja Mimoza Paja dhe u plagosen 6 persona të tjerë.
Po ashtu, emri i Muratit u përfol edhe në zbulimin e një baze armatimesh në dy banesa në Tiranë në korrik të 2022. Ai u arrestua ndërsa lëvizte në makinë me nën shoqërinë e Endrit Dokles, të famshmin e bandës së Durrësit. Por, Gjykata e Tiranës e shpalli Muratin të pafajshëm edhe pse prokuroria kishte kërkuar 3 vite burg për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, Kristian Gjini, i cili zotëronte bazën e armatimeve, u dënua me 7 vite e 6 muaj burg.
Murati u mor në pyetje dhe nga prokuroria e Kurbinit, për masakrën e Fushë-Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij, Diklen Vataj dhe Besmir Hoxha, ndërsa më pas u la i lirë.
Ndërkohë, më 14 tetor 2022, Fatjon Muratit iu sekuestruan 7 pasuri me vlerë 5 mln euro. Një sipërfaqe ndërtimi 120 m2, një dyqan 40 m2 në rrugën “Lord Bajron”, një apartament 90.30 m2 dhe një pallat 8-katësh me sipërfaqe 317m2. Po ashtu, nën sekuestro janë edhe pikë pakice e tregtimit të artikujve të imët ushqimor, një bar kafe dhe një lavazh makinash.
(BalkanWeb)