Evidentimi dhe njohja e shpejtë e sëmundjeve profesionale synohet që të arrihet përmes përgatitjes më të mirë të mjekëve në punë të cilët do t’i nënshtrohen kurrikulave të rishikuara.
Në dokumentin e Politikave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe Plani i Veprimit 2024-2030, nxjerrë për konsultim nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit thuhet se në vijim do të ketë një përpjekje më të madhe për të parandaluar rreziqet ndaj shëndetit në punë.
“Përpjekjet për të përmirësuar sistemin e hetimit dhe raportimit për sëmundjet profesionale janë të ndërlidhura dhe synojnë të nxisin menaxhimin dhe parandalimin e rreziqeve ndaj shëndetit në punë. Megjithatë, kuadri aktual i njoftimit, regjistrimit dhe njohjes paraqet mangësi, veçanërisht në trajnimin e mjekëve në fushën e mjekësisë së punës. Kjo mangësi rezulton në identifikimin e paplotë të sëmundjeve profesionale dhe për rrjedhojë dëmton përpjekjet për monitorimin e tyre, pavarësisht se vendi ka miratuar një listë gjithëpërfshirëse të sëmundjeve profesionale”, thuhet në dokument.
Bazuar tek këto sfida, plani përmbledh disa hapa që do të ndërmerren
Së pari, ngritja e një grupi pune për të rishikuar sistemin e njoftimit, regjistrimit dhe njohjes për sëmundjet profesionale. Ky grup do të identifikojë mangësitë ekzistuese dhe do të propozojë ndryshimet e nevojshme ligjore për të përmirësuar monitorimin e shëndetit dhe diagnostikimin e tyre. Këto ndryshime ligjore do të shërbejnë si kuadër për zbatimin e përmirësimeve të mëtejshme.
Së dyti, hartimi i programeve të përshtatshme arsimore që synojnë profesionistët në fushën e mjekësisë është thelbësor për të siguruar që ata të kenë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të diagnostikuar dhe menaxhuar sëmundjet profesionale në mënyrë efektive. Duke zhvilluar kurrikula të përditësuara në mjekësinë e punës dhe duke krijuar një program stazhi me kohë të plotë në përputhje me standardet e BE-së, ekspertiza e profesionistëve mjekësorë në këtë fushë do të përmirësohet ndjeshëm.
Së treti, krijimi i regjistrit kombëtar për sëmundjet profesionale në përputhje me metodologjinë e Statistikave Evropiane të Sëmundjeve Profesionale (EODS) do të luajë një rol kyç në lehtësimin e mbledhjes dhe analizimin e të dhënave. Harmonizimi i regjistrit me standardet e BE-së do të sigurojë përputhshmërinë në mbarë vendin dhe do të mundësonte gjenerimin e statistikave më të sakta të cilat janë thelbësore për shqyrtimin e tendencave dhe për të zhvilluar strategji të mire synuara parandalimi.
Së fundi, formulimi i udhëzimeve gjithëpërfshirëse dhe materialeve ndërgjegjësuese për punëdhënësit në lidhje me sëmundjet profesionale e plotëson ciklin e përmirësimit. Duke i edukuar punëdhënësit për nivelet e rrezikshmërisë që lidhen me rreziqet në vendin e punës dhe duke ofruar orientime për masat parandaluese, nxitet qasja proaktive për sigurinë dhe shëndetin në punë, duke kontribuar në uljen e shpeshtësisë së sëmundjeve profesionale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal./Monitor/