TIRANE
Kënga konkurruese e Eneda Tarifës në “Kënga Magjike” këtë vit, titullohet “Më fort”. Tekstin e këngës e ka shkruar partneri i këngëtares, Gent Lasku. E ftuar në “Aldo Morning Show”, Eneda foli për mesazhin e këngës dhe se si ajo është pritur përgjatë këtyre ditëve nga publiku.
“Në fakt më ka kapur një fazë këngësh që dua të mos qaj më, por dua të jem e lumtur. Të jenë këngë pozitive, këngë motivuese. Kësaj herë donim të bënim diçka të fortë, të bukur, inspiruese, sepse ngelëm duke qarë.
“Duke folur për kuptimin e kontekstit të këngës nga audienca, këngëtarja tha:
“Unë akoma marr telefonata, mesazhe urimi për tekstin e bukur, për muzikën, se si i është përshtatur teksti muzikës dhe për mënyrën e të kënduarit. Jam shumë e lumtur, unë ia kam arritur asaj që doja. Publiku jo vetëm që e ka kuptuar, por e ka përqafuar këngën. Kanë filluar bëhen ato TikTok-et e para me fjalët e këngës. Është shumë këndshëm, unë të nesërmen isha kaq e mbushur dhe ndihesha kaq e shpërblyer saqë thashë ‘të ndodhë ç’të ndodhë, nuk më intereson fare’.”
Eneda shtoi se reagimet që mori pas prezantimit të këngës i kaluan pritshmëritë.
“Me thënë të drejtën jo kaq shumë. Kam qenë të nesërmen shumë e mallëngjyer nga sasia dhe se sa shpejt u përhap dhe u bë virale. Me sa duket, njerëzit kanë nevojë për forcë, kanë nevojë që t’u tregosh që ti je me ata, pjesë e tyre, i ke kaluar si ata dhe të mbushen me pozitivitet pse jo.”