Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje të enjten Maqedonisë së Veriut t’i kalojë ndryshimet kushtetuese për ta përmbushur njërin prej detyrimeve vendimtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Von der Leyen u takua me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, gjatë një vizitë në Shkup të enjten, si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, ku e përsëriti se zgjerimi i BE-së mbetet një nga prioritetet kryesore të saj.
“Pothuajse jemi aty. Shpresoj se me dialog të përbashkët, të gjitha forcat politike në vend do të bashkohen dhe do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm vendimtarë për përparim. Jam e bindur se mund t’i kapërcejmë barrierat të cilat ekzistojnë”, tha Von der Leyen të enjten në një konferencë shtypi së bashku me Mickoskin.
Maqedonia e Veriut ka ngelur mbrapa në procesin e integrimit dhe mori një goditje këtë muaj kur BE-ja e hapi kapitullin e parë në negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shkëputur Shkupin nga paketa e përbashkët me Tiranën.