Fuqitë botërore kanë mbledhur 1 miliard dollarë, në një konferencë në Paris të enjten, për ta zbutur krizën humanitare në Liban dhe për ta përkrahur Ushtrinë libaneze, raporton “The Guardian”.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot i ka bërë thirrje Izraelit t’i dëgjojë thirrjet për armëpushim dhe të fokusohet në diplomaci.
Të enjten 70 delegacione qeveritare dhe 15 organizata ndërkombëtare u mblodhën në Paris për ta ndihmuar Libanin.
“Mesazhi (për Izraelin) është i thjeshtë: armëpushim!” tha Barrot në konferencë për media. Ai ka përsëritur se një propozim franko-amerikan është ende në tryezë.
Ai ka thënë se mbi 800 milionë dollarë, përfshirë 300 milionë nga Washingtoni, janë mbledhur kryesisht për t’i ndihmuar afro 1 milion të zhvendosur nga Libani duke ofruar ushqime, kujdes shëndetësor dhe edukim.
200 milionë dollarë tjerë do të dedikohen për Forcat e Armatosura të Libanit (LAF), që shihen si garantuese për stabilitetin e brendshëm dhe vendimtare për zbatimin e Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ishte miratuar në vitin 2006, e cila bën thirrje që jugu i Libanit të jetë i lirë nga trupat apo armët tjera pos ato të shtetit libanez.
E presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, duke i thënë se “civilizimi nuk mbrohet më së miri duke mbjellë barabarizëm”.
Ai gjithashtu u zotua se do të ndihmojë në trajnimin e 6000 trupave shtesë libaneze, ndërsa bëri thirrje për armëpushim dhe ndalimin e sulmeve izraelite ndaj trupave paqeruajtëse.
“Ditët e fundit kemi folur shumë për një luftë të civilizimit apo se civilizimi duhet të mbrohet. Nuk jam i sigurt se e mbrojmë civilizimin duke mbjellë vetë barbarizëm”, tha Macron, duke iu kundërpërgjigjur Netanyahut.
Netanyahu kishte thënë të mërkurën se po zhvillohet një luftë “qytetërimesh kundër barbarizimit”.
Macron ka thënë se lufta duhet të përfundojë sa më parë.