SHBA po shkon drejt falimentimit dhe shpejt do të dështojë nëse Uashingtoni nuk ndalon së shpenzuari kaq shumë para, ka paralajmëruar CEO i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk.
Musk po komentonte një postim në X, i cili nënvizonte rritjen e pagesave të interesit për borxhin e qeverisë amerikane.
Musk u shpreh se “nëse nuk ka një reduktim rrënjësor të shpenzimeve të qeverisë, atëherë, ashtu si një individ që ka marrë shumë borxhe, Amerika do të falimentohet de facto”.
“Interesi i borxhit po priret të thithë me shpejtësi të gjitha të ardhurat tatimore, duke mos lënë asgjë për nevoja kritike,” shtoi ai.
Musk theksoi më parë në shtator se kostoja e shërbimit të borxhit të madh federal të SHBA-së ka tejkaluar buxhetin aktual të mbrojtjes, i cili arriti në 840 miliardë dollarë këtë vit.
Thesari i SHBA-së njoftoi në fund të korrikut se borxhi kombëtar kishte tejkaluar 35 trilion dollarë, duke u rritur me një trilion në një periudhë gjashtëmujore. Shifra aktuale është 35.7 trilion dollarë, sipas Orës së Borxhit të SHBA.