Bisedimet e armëpushimit në Gaza pritet të rifillojnë në ditët në vijim, tha Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Duke folur në një konferencë shtypi në Doha me kryeministrin e Katarit Mohammed bin Abdelrahman Al Thani , Blinken tha se negociatorët e Gazës do të mblidhen “së shpejti”.

“Ne folëm për opsionet për të përfituar nga ky moment dhe hapat e ardhshëm për të çuar procesin përpara dhe unë parashikoj që negociatorët tanë të mblidhen në ditët në vijim,” shtoi ai.

Diplomati i lartë amerikan tha se Uashingtoni “refuzon çdo përpjekje për të krijuar një rrethim, për të uritur njerëzit, për të larguar Gazën veriore nga pjesa tjetër e Gazës”.

Ai njoftoi një shtesë prej 135 milionë dollarësh në ndihmë humanitare amerikane për enklavën e bllokuar palestineze.

“Ajo që është kaq kritike është që ndihma të shkojë tek njerëzit që kanë nevojë për të,” tha ai.

Lidhur me një plan izraelit që kërkon evakuimin e plotë të Gazës veriore, i ndjekur nga një rrethim në zonë për të detyruar luftëtarët palestinezë atje të dorëzohen, Blinked tha se SHBA “e refuzon plotësisht dhe rrënjësisht”.

Qeveria izraelite nuk e ka miratuar zyrtarisht planin, por transmetuesi publik izraelit KAN tha se Kabineti i Sigurisë i Izraelit po shqyrtonte skemën.

“Ky është një moment për të punuar për t’i dhënë fund kësaj lufte për t’u siguruar që të gjithë pengjet janë në shtëpi dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për njerëzit në Gaza,” shtoi Blinken.

Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA, Egjipti dhe Katari deri më tani kanë dështuar të japin një armëpushim në Gaza, por Uashingtoni pohon se vrasja e liderit të Hamasit, Jahya Sinwar nga Izraeli javën e kaluar mund të çojë në një përparim në bisedime. Hamasi, megjithatë, thotë se konflikti do të përfundojë kur Izraeli të ndalojë fushatën e tij ushtarake në enklavën e bllokuar, e cila ka vrarë më shumë se 42,800 njerëz që nga viti i kaluar.

Ushtria izraelite ka vazhduar një ofensivë shkatërruese në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit vitin e kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Sulmi izraelit në Gaza ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb