Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) shpall thirrjen e aplikimit për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, për paraqitjen e projekteve në kuadër të Mbrojtjes Civile.

Katër fushat në të cilat Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon bashkive në të gjithë vendin që të paraqesin projektet e tyre janë:

1. Investimet në infrastrukturë, ku do të pranohen projektet me një shumë totale financiare jo më të lartë se 100.000.000 lekë;
2. Blerja e automjeteve për përdorim të veçantë, makineri teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta, të përcaktuara si të tilla sipas parashikimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë; Këto mjete do të përdoren për përballimin e situatave emergjente të krijuara si pasojë e fatkeqësive natyrore;
3. Rehabilitimi i digave, ku kostoja totale e projektit nuk duhet të kalojë shumën prej 50.000.000 lekësh;
4. Urat Bailey.

Thirrja bëhet për projekte të reja dhe projekte ekzistuese, ndërsa Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC gjatë ditëve në vazhdim do të zhvillojnë takime informuese me drejtuesit e 12 qarqeve duke evidentuar edhe problematikat në të gjitha zonat me risk të lartë.

Ministria e Mbrojtjes rrit në këtë mënyrë vigjilencën dhe Mbrojtjen Civile në të gjithë vendin, pasi me këtë thirrje të adresuar njësive vendore synon njëkohësisht forcimin e strukturave lokale për të përballuar me sukses rastet e emergjencave.

Afati i fundit për paraqitjen e projekteve pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile është data 25 nëntor 2024.

Aplikimi mund të kryhet nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes në linket e mëposhtëm:

1. Investimet në infrastrukturë ndiqni linkun për aplikim
2. Blerja e automjeteve për përdorim të veçantë, makineri teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta
3. Rehabilitimi i digave dhe blerja e automjeteve për përdorim të veçantë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb