Gjithçka ka të bëjë me dëgjimin dhe ndjenjën, shpjegon Ben Neumann përpara se të marrë dërrasën e sërfit dhe të hidhet në një pishinë me dallgë në Mynih, në Gjermani. Tingulli dhe ndjenja janë dy elementë në të cilat Ben mbështetet gjatë surfit pasi shikimi nuk është një opsion për të.
“Orientohem nëpër dallgë kryesisht përmes ndjenjave dhe dëgjimit. Këta dy faktorë janë vendimtarë. Kjo do të thotë që nëse përqendroheni dhe mësoni, mund të dalloni mirë tingullin e dallgëve. Si ndryshon tingulli? Ndikon shumë edhe vendi ku jeni nëpër dallgë. Pika e dytë është ndjenja. Kjo do të thotë, si e ndjen dërrasën e sërfit në ujë, çfarë lloj reagimi marr? Shpesh e vendos dorën në ujë për të ndjerë dallgën dhe për të parë nëse duhet të përshpejtoj apo të ngadalësoj”.
Ben ka qenë i verbër që në moshën gjashtë vjeçare për shkak të një defekti gjenetik. Shtatë vjet më vonë, në moshën 13-vjeçare, ai filloi të bënte sërf, tani si 19-vjeçar ka fituar një medalje bronzi në Kampionatin Botëror të Para Surfing dhe shpreson për një medalje të artë në Kampionatin 2024 në nëntor në Kaliforni. Babai i tij, Peter Neumann, tha se për ta si prindër fillimi ka qenë shumë i vështirë.
“Për prindërit, natyrisht, është një fatkeqësi që fëmija e tyre është i verbër. Është e qartë se bota shembet pak në fillim. Megjithatë, ne si familje thamë se duhej ta merrnim më me qetësi. U përpoqëm të vazhdonim jetën në një mënyrë të arsyeshme dhe normale, për t’i ardhur sa më shumë në ndihmë djalit tonë Benit.”
Së bashku me babain, i cili i tregon atij përmes një kufje kur dhe ku po vjen dallga, Ben po stërvitet për konkursin në një pishinë të sapondërtuar sërfi në Mynih në Gjermaninë Jugore. Familja e tij jeton në Garmisch-Partenkirchen pranë kufirit austriak, rreth 90 kilometra në jug nga Mynihu.
“Pishina ofron natyrshëm një mjedis shumë të kontrolluar dhe të parashikueshëm, i cili është shumë i këndshëm, veçanërisht për një sërfis të verbër, sepse mund të punosh shumë mire individualisht në aspekte teknike përmes përsëritjeve të vazhdueshme. Kjo është arsyeja pse trajnimi në pishinë është shumë efektiv. Gjithsesi, surfi i përket më shumë detit. Është shumë bukur të jesh në det dhe të ndjesh lidhjen me natyrën”.
Gjithashtu, Ben e sheh sërfin si diçka terapeutike.
“Të qenurit aktiv, mundësia për të arritur diçka për veten time, për të bërë sport, për të parë se çfarë mund të arrij, më jep vetëbesimin me të cilin më pas mund të ecë nëpër botë në jetën time të përditshme”
Ben shprehet më tej se nuk dorëzohet dhe bën të pamundurën për të kaluar pengesat. “Është e rëndësishme të kuptoni se pengesat – dhe këtu hyn në lojë motoja ime “Pa kufij” – janë kryesisht në kokën tuaj. Kjo do të thotë gjithashtu se kur hasni pengesa, ashtu si kushdo tjetër, është e rëndësishme të vazhdoni me shpirt dhe motivim për të gjetur zgjidhje dhe për të qenë kreativ. Atëherë mund t’ia dilni mbanë më shumë se asnjëherë tjetër”.
Në tetor Ben fitoi garën në sërf të mbajtur në Gjermani dhe pas Kupës së Botës në Kaliforni, ai shpreson që sërfi të jetë pjesë e Lojërave Paralimpike 2028 për të shtuar ndoshta një medalje Paraolimpike në koleksionin e tij.