Pronari dhe menaxheri i anijes së mallrave, e cila shkaktoi shembjen vdekjeprurëse të urës së Baltimores, kanë rënë dakord të paguajnë më shumë se 102 milionë dollarë kosto dëmshpërblim për të zgjidhur një padi të ngritur nga Departamenti i Drejtësisë, thanë zyrtarët të enjten.

Marrëveshja vjen një muaj pasi Departamenti i Drejtësisë paditi pronarin e anijes “Grace Ocean Private Ltd” dhe menaxherin e “Synergy Marine Group”, të dy me bazë në Singapor.

Departamenti i Drejtësisë pretendoi se sistemet elektrike dhe mekanike në anijen Dali, nuk ishin mirëmbajtur siç duhet, duke bërë që ajo të humbiste fuqinë dhe të largohej nga kursi përpara se të godiste një kolonë mbështetëse të urës “Francis Scott Key” në mars. Anija po largohej nga Baltimore për në Sri Lanka kur drejtimi i saj dështoi për shkak të humbjes së energjisë, raporton Associated Press.

Gjashtë punonjës të mirëmbajtjes së urës vdiqën si pasojë e shembjes së saj.

“Kjo rezolutë siguron që kostot e përpjekjeve të qeverisë federale për pastrimin e kanalin “Fort McHenry” të përballohen nga firmat ‘Grace Ocean’ dhe ‘Synergy’ dhe jo nga taksapaguesit amerikanë”, tha në një deklaratë Benjamin Mizer, zyrtari në Departamentin e Drejtësisë.

Shembja e urës pengoi trafikun komercial të transportit detar përmes Portit të Baltimores dhe la pa punë shumë punëtorë lokalë në bregdet përpara se kanali të hapej plotësisht në qershor. Ai ndërpreu rrugët e transportit në Bregun Lindor pasi porti është një nga më të ngarkuarit në vend, veçanërisht për makinat dhe pajisjet e fermave.

Të dhënat e gjykatës tregojnë se avokatët e të dyja palëve thanë në një dosje të përbashkët të enjten se ata kishin arritur një marrëveshje zgjidhjeje dhe kërkuan rrëzimin e kërkesës së Departamentit të Drejtësisë, i cili kërkonte 103 milionë dollarë në këmbim.

Zyrtarët kanë thënë se shpresojnë që puna për ndërtimin e urës të përfundojë deri në vitin 2028.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: