Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka kundërshtuar në Apelin e Posaçëm dënimin e tij me 6.8 vite burg nga GJKKO, për aferën e inceneratorëve. Koka është shprehur se nuk është ai “peshku i madh” dhe se nuk duhej të ishte dënuar për korrupsion.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se Lefter Koka iu drejtua prokurorëve të SPAK dhe togave të zeza se në dosjen në ngarkim të tij ishin deklaratat e deputetes së PL, Monika Kryemadhi. Ai ka thënë se SPAK e përpiloi dosjen në mënyrë të tillë që ta dënonin për korrupsion, akuzë të cilën ish-ministri i Mjedisit e mohon.

Duke vijuar akuzat, Lefter Koka ka deklaruar se po të hapet telefoni i Kryemadhit, aty do të gjendet edhe “peshku i madh” i inceneratorëve.

Lefter Koka në gjyq: Nuk jam unë “peshku i madh” dhe nuk mund të më dënoni për korrupsion. Ju e copëzuat çështjen që të më dënoni mua sa më shumë. Gjithçka thatë sot janë fiks ato që ka shkruar Monika Kryemadhi në kallëzimin e saj. Hapni telefonin e Kryemadhit dhe nuk do të më gjeni mua aty, aty do të gjeni peshkun e madh…

***

Lefter Koka u dënua me 10 vjet burg, i konvertuar në 6.8 vite heje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar për krijimin e skemave mashtruese me faturat fiktive, për inceneratorin e Fierit. SPAK akuzon Kokën për abuzim me rreth 4 mln euro. Ish-ministri sipas SPAK, përfitoi në mënyrë të parregullt shuma të ndryshme monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare. Ai u lirua nga akuzat sa i takon djegësit të Elbasanit.

Për inceneratorin e Elbasanit, SPAK kërkon në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ish-deputetin socialist Alqi Bllako dhe ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Në seancën që u zhvillua në Apel pas dështimit disa mujor, prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg, ndërsa për Kokën kërkon t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”.

Dënimet e GJKKO për inceneratorin e Fierit

Lefter Koka – 10 vjet burg, konvertohet në 6.8 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe 5 vite dënim plotësues për të mos ushtruar funksione publike

Alqi Bllako – 4 vjet burg, konvertohet në 2.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar

Klodian Zoto – 12 vjet burg, konvertohet në 8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar

Pëllumb Abeshi – 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 2 vjet heqje lirie, por u konvertua në 4 vite shërbim prove

Florian Muçaj – 3 vite burg, konvertohet në 2 vjet heqje lire për shkak të gjykimit të shkurtuar, por lirohet pas mbaron dënimi

Azem Shatëri – 3 vite burg, konvertohet në 2 vjet heqje lire për shkak të gjykimit të shkurtuar, por lirohet pas mbaron dënimi

Erjon Murataj – 3 vite burg, konvertohet në 2 vjet heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar

Sabina Cenameri – 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 2 vjet heqje lirie, por u konvertua në 4 vite shërbim prove

Arben Dervishaj u shpall i pafajshëm

Loran Dusha  – 7 vite burg, konvertohet në 4.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar

Arjola Kodra u shpall pafajshme

Arbër Denizi – 7 vite burg, konvertohet në 4.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar

Juri Imeraj u shpall i pafajshëm

Regan Merdani – 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 2 vjet heqje lirie, por u konvertua në 4 vite shërbim prove

Gentian Zifla – 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 2 vjet heqje lirie, por u konvertua në 4 vite shërbim prove.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb