Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha sot në Sarajevë se Bosnjë e Hercegovina ka treguar shumë herë në të kaluarën se mund të arrijë rezultate në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) kur vepron e bashkuar, transmeton Anadolu.

Në kuadër të vizitës së saj në BeH, Von der Leyen zhvilloi takim me kryesuesen e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, ndërsa para kësaj u takua edhe me anëtarët e Presidencës së BeH-së. Pasditen e së enjtes ajo vizitoi Jabllanicën, e cila ka pësuar më së shumti nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e fundit të dheut.

Presidentja e KE-së shprehu edhe një herë ngushëllimet e saj për familjarët e viktimave të përmbytjeve të fundit në BeH.

“Ishte e dhimbshme të shihja shkallën e fatkeqësisë në zonën e Jabllanicës. Dua t’u dërgoj mesazh të gjithëve se BE-ja ishte me ju dhe se ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje. Ju gjithashtu aktivizuat mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian dhe brenda atij mekanizmi, shumë vende u përgjigjën menjëherë, gjë që tregon se sa miq ka Bosnjë e Hercegovina”, tha Von der Leyen në konferencën për media.

Ajo vuri në dukje se BE-ja do të konsiderojë gjithashtu dhënien e ndihmës për BeH-në nga Fondi i Solidaritetit, i cili është në dispozicion të vendeve anëtare në rast të fatkeqësive natyrore.

“Fondi i Solidaritetit është fond që përdoret rregullisht nga vendet anëtare në rast fatkeqësish dhe katastrofash, por është i hapur edhe për vendet që kanë statusin e kandidatit. Sigurisht që do ta konsiderojmë këtë, por përveç kësaj, menduam se keni nevojë për ndihmë menjëherë dhe për këtë kemi marrë vendimin që menjëherë, pa vonesë, të mobilizojmë fondet në shumën prej 20 milionë eurosh, pasuar nga faza e rikuperimit dhe rehabilitimit, e cila do të mbështetet përmes Fondit të Solidaritetit”, tha Von der Leyen.

Ajo shprehu mirënjohjen për angazhimin e BeH-së në rrugën evropiane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: