TIRANE
Dosja që ish-Sigurimi i Shtetit ka krijuar për shkrimtarin Martin Camaj, mund të jetë manipuluar. Në këtë përfundim arrin një grup pune i ngritur nga Autoriteti i Dosjeve për të verifikuar firmën e shkrimtarit.
Firma e shkrimtarit Martin Camaj në dokumentin ku pretendohet se ai pranon të bëhet bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, mund të jetë e manipuluar. Në këtë përfundim duket se arrin grupi i punës i ngritur nga Autoriteti i Dosjeve, i cili ka bashkuar ekspertë të policisë shkencore, kaligrafisë dhe ish Stasit gjerman. Për “News 24”, kreu igrupit të punës, sqaroi. Hetimi administrativ është ende në proces.
“Ka dyshime serioze për firmën e tij sepse kjo firmë e tij, ndryshon katërcipërisht me firmat e tij që gjenden në arkivën e bashkëshortes së tij dhe në arkivën e Mynihut ku ai ka punuar”.
Pak vite më parë, publikimi i disa pjesëve të dosjes së tij, e etiketoi atë si bashkëpunëtor të Sigurimit famëkeq, edhe pse, fill pas dokumentit ku pretendohej se pranoi të bëhej bashkëpunëtor, ai u arratis nga Shqipëria dhe dokumentet e dosjes së tij, tregojnë në fakt si përndiqej Camaj në Gjermani. Një hetim administrative nisi asokohe:
“Për te verifikuar disa elemente që ne dyshojmë realisht se kjo dosje I ka të falsifikuara në vetvete”, tha Nikolla, anëtar I Autoritetit të Dosjeve.
Shkrimtar e albanolog, Martin Camaj u arratis nga Shqipëria gjatë diktaturës dhe pas qëndrimit në Ish Jugosllavi e Itali u vendos në Gjermani prej ku shkroi disa vepra e studime që në Shqipëri erdhën vetëm pas rënies së regjimit.