Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka shprehur keqardhje për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Liban, si dhe zhgënjimin e tij që thirrje për një pauzë 21-ditore të armiqësive, e bërë së bashku me presidentin amerikan Joe Biden, akoma nuk është marrë në konsideratë, transmeton Anadolu.

“Më vjen keq që Izraeli vazhdon operacionet e tij ushtarake në jug të Libanit, në Bejrut dhe gjetiu dhe se numri i viktimave civile vazhdon të rritet”, tha Macron gjatë konferencës së ndihmës për Libanin që po mbahet në Paris.

Macron po ashtu tha se i vjen keq edhe për atë që “apeli i tij dhe i presidentit Biden, i bërë më 25 shtator për një pauzë 21-ditore të armiqësive, akoma nuk është marrë në konsideratë”.

Duke theksuar nevojën urgjente për një armëpushim për të mbrojtur civilët e prekur nga konflikti, Macron njoftoi se vendi i tij do të premtojë 100 milionë euro (106 milionë dollarë) ndihmë për Libanin në përgjigje të një apeli urgjent të OKB-së, i cili kërkon 426 milionë euro për ndihmë ndaj Libanit.

“Ne duhet të strehojmë familjet, të ushqejmë fëmijët dhe të sigurojmë që nxënësit të vazhdojnë shkollimin e tyre”, tha ai. Duke kritikuar Izraelin për vazhdimin e operacioneve ushtarake në Liban, duke çuar në një numër në rritje të viktimave civile, ai tha se “lufta duhet të përfundojë sa më parë dhe të ketë armëpushim në Liban”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: