“Një mëkat që njollosi shpirtin tonë”, ishte ndjesa historike që presidenti i SHBA Joe Biden i paraqiti sot popullit autokton amerikan, fëmijët e të cilëve u shkëputën nga familjet e tyre për më shumë se një shekull nga shteti për t’i vendosur në shkolla me konvikte, ku ata u keqtrajtuan me synimin e asimilimit të detyruar.

“Qëllimi i këtyre shkollave me konvikt ishte të fshinin kulturën, gjuhën dhe identitetin vendas të Amerikës. Shumë fëmijë pësuan dhunë fizike, psikologjike ose seksuale atje”, sipas një raporti të fundit të qeverisë.

“Kërkoj ndjesë zyrtarisht, si president i Shteteve të Bashkuara, për atë që kemi bërë”, tha Joe Biden nga rezervati amerikan i lumit Gila, në Arizona, pasi mbajti një moment heshtjeje për të nderuar “njerëzit e humbur dhe brezat që jetojnë me këtë traumë”.

Këto shkolla me konvikt kanë ekzistuar nga fillimi i shekullit XIX deri në vitet 1970, sipas raportit të qeverisë.
Të paktën 973 fëmijë kanë vdekur në këto struktura.

“Fëmijët erdhën në shkollë…u zëvendësuan me një numër ose një emër anglez”, tha presidenti amerikan.

“Disa u detyruan me punë të detyruar, disa u birësuan pa pëlqimin e prindërve të tyre biologjikë, të tjerët u lanë për të vdekur dhe u varrosën në varre të pashenjuara”, shtoi ai në një fjalim pasionant.

“Ky është një nga kapitujt më të tmerrshëm në historinë amerikane”, këmbënguli Joe Biden.

“Dhimbja e shkaktuar do të jetë gjithmonë një shenjë e rëndësishme turpi, një njollë në historinë amerikane”, theksoi ai.

Administrata Joe Biden ka vendosur një sërë masash për të mbështetur popullsitë autoktone të Amerikës dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me shtetin federal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: