Në takimin e organizuar nga Shqipëria dhe OSBE në OKB për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhura me konfliktin, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vuri theksin tek rëndësia e procesit të llogaridhënies për autorët e këtyre akteve.

Sipas ministrit Hasani, një nga barrierat kryesore ndaj përgjegjësisë për këto krime është mbizotërimi i kulturës së mosndëshkimit, teksa nënvizoi se thyerja e këtij cikli kërkon përpjekje të përbashkëta.

“Për të parandaluar në mënyrë efektive këtë krim mizor, ne duhet t’i japim përparësi forcimit të llogaridhënies dhe duhet të fokusohemi në fuqizimin e viktimave. Është thelbësore të vendosen tregues të paralajmërimit të hershëm për dhunën seksuale të lidhur me konfliktin në mandatet e të gjitha misioneve paqeruajtëse dhe ato të posaçme politike të OKB-së. Zbatimi i këtyre masave do të rrisë kapacitetin tonë për të zbuluar dhe reaguar ndaj incidenteve të dhunës seksuale në kohën e duhur”, u shpreh kryediplomati shqiptar, duke kujtuar krimet e kësaj natyre gjatë luftës në Kosovë dhe ato më të fundit në Ukrainë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Takimi “Përgjegjësia dhe fuqizimi: Mbështetja e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhura me konfliktin” i bashkëorganizuar nga pala shqiptare dhe OSBE, shërbeu si një platformë diskutimi dhe adresimin e sfidave që lidhen me dhunën seksuale të shkaktuara nga konfliktet.

Gjqtë qëndrimit në Nju Jork, Ministri Hasani u takua me një grup qytetarësh shqiptarë që punojnë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ai i informoi mbi hapat konkretë që po ndërmerr Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, për të forcuar lidhjet e shërbimit të jashtëm me shqiptarët që punojnë në organizata ndërkombëtare—jo vetëm për t’i mbështetur në zhvillimin e karrierës pranë këtyre Organizatave, por edhe për të lehtësuar mundësitë e angazhimit të tyre në Shqipëri, ku eksperienca e tyre e vyer është kyçe për përsosjen e diplomacisë shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: