TIRANË

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare Gëzim Kalaja ka folur sot në emisionin “Kjo Javë” në News24 për fushatën e nisur nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij për pensionet dhe deklarimin real të pagave nga sipërmarrjet. Kalaja e cilësoi të vonuar nismën.

“Nëse kryeministri e ka seriozisht këtë punë, mendoj se ka bërë mirë që i ka trajtuar këto probleme, por mund të them edhe këtë tjetrën që kryeministri i ka ditur këto probleme. Duhet t’i kishte trajtuar shumë kohë më përpara. Nuk duhej ta lejonte që skema e pensioneve të ishte në këtë model”, tha ai.

Kalaja foli për kongresin e mbajtur pak ditë më parë, ku sërish në fokus ishte çështja e pensioneve dhe minatorëve. Ai deklaroi mbështetjen e organizatave sindikale nga bota.

“Në të gjithë kongresin vija e kuqe që e ka përshkruar kanë qenë pensionet, çështja e dialogut social nga delegatët, njëkohësisht dhe problemi i sigurimit teknik në lidhje me sindikatat dhe profesionet e industrisë. Në të gjitha konferencat është trajtuar çështja e pensioneve sepse është një pension i papërfillshëm, i cili nuk mund të mbulojë problemet ekonomike të një familje shqiptare. Paga minimale është 400 dhe pensioni varion nga 80-90 mijë. Ne aspirojmë për të hyrë në BE, u çelën negociatat. Negociatat nuk mund të çelen nëse një qytetar merr 80-90 mijë.

Kosova e ngriti pensionin me 20%. Ne bëmë një indeksim 4 mijë ose 5 mijë të vjetra, por ndërkohë u ngritën çmimet e ilaçeve.

Ne ishim të detyruar të deklaronim atë që kishin kishin vendosur konferencat e 15 rajoneve. Ishin mbi 2700 delegatë, në kongres kanë qenë 1002 vetë, nga këta 851 kanë qenë delegatë. Kongresi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare, i cili zhvilloi punimet më 19 tetor, morën pjesë 4-5 delegacione të huaja. Delegacioni më i madh i sindikatës amerikane AFL-CIO.

I trajtuam këto probleme dhe e konsideruan të drejtë kërkesën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare. Ishte delegacioni amerikan, australian, francez, gjerman”, tha Kalaja.

Sipas tij, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare ka deklaruar që pensioni duhet të jetë në nivelin e pagës minimale. Ai theksoi se ka munguar komunikimi me qeverinë.

“Janë të gjithë arsyet që të mbulohet nga buxheti i shtetit. Një minator që ka punuar nën tokë 30-40 vjet me një pension 180 mijë lekë është e papranueshme. Ne i kemi deklaruar këto gjëra në Këshillin kombëtar të punës, por asnjë kontakt nuk kemi pasur.

Kemi kërkuar kontakt me qeverinë, s’ka asnjë përgjigje, ka një mungesë korrespodence të theksuar. Ne i kemi trajtuar në Këshillin Kombëtar të Punës.

Propozimet tona janë: Çdo qytetar shqiptar në qoftë se ka realizuar dhe ka paguar sigurime shoqërore, konform ligjit dhe ka vitet e punës në përputhje me parametrat ligjorë nuk duhet të marrë pension më të ulët se 400 mijë lekë.

E dyta është çështja e fitimit të një përqindjeje nga ana e minatorëve shqiptarë të cilët janë penalizuar”, deklaroi Kalaja.
Ai tha më tej se informacioni për informalitetin e sipërmarrjeve ka munguar dhe nuk është trajtuar asnjëherë në Këshillin Kombëtar të Punës pavarësisht se si e kuptojmë ne dhe e mendojmë ne informalitetin.

“Nga ana e qeverisë nuk është deklaruar asnjëherë çështja e informalitetit. Dalja e kryeministrit me këtë problem, sigurisht që ka shqetësuar qeverinë.
Në shumë ndërmarrje nuk deklarohen pagat reale, nuk paguhen sigurimet shoqërore dhe kjo ka vazhduar gjatë me heshtje dhe kjo është e papranueshme.
Çdo forcë politike që ka do ishte në pushtet duhet ta kishte marrë këtë nismë dhe Rama e ka ndërmarrë këtë nismë në prag të fushatës elektorale sepse në qoftë se do ishte dëshira e qeverisë që pensionet e shqiptarëve të trajtoheshin dhe ngriheshin në nivelin për të përballuar ekonominë në familjet e tyre duhet ta kishin bërë shumë kohë më përpara. Megjithatë e vlerësoj”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb