Kreu i BSPSH Gëzim Kalaja deklaroi se “nëse kryeministri e ka seriozisht çështjen e informalitetit, çështjen e pagesës dhe çështjen e nivelit të ulët të pensionit ne e mbështesim dhe e përkrahim, por nuk heqim dorë nga kërkesat tona”.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në Neës24 Kalaja tha se duan të zgjidhin problemet për rritjen e pensioneve dhe kërkesave për minatorët me dialog, por nëse nuk marrin përgjigje deri më 20 nëntor do të dalin në shesh.
“Pensioni të jetë i barabartë me pagën minimale. Nëpërmjet dialogut të zgjidhim problemet sepse Shqipëria është në prag të pranimit të hapjes së negociatave me BE-në, por nëse qeveria sigurisht do ta bëjë veshin e shurdhët në këtë drejtim Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare do të dijë të veprojë në lidhje me atë çka jep ligji dhe të protestojë për këtë problem.Unë vlerësoj protestën qoftë dhe të një njeriu të vetëm. Protestën që kanë bërë një grup pensionistësh është sinjali i parë për fillimin e një proteste të madhe për këtë gjë kaq jetike. Mendoj se duke u bashkuar të gjithë pensionistët do të bëjnë të mundur realizimin e kërkesës së tyre”, tha ai.
I pyetur për marrëdhënien me opozitën, ai tha se deri tani nuk ka pasur konsultim, por se janë të hapur për bashkëpunim dhe nëse opozita i bën pjesë të kauzës kërkesat e tyre do t’i bashkohen në protestë.
“Mendoj se departamentit i PD-së që është partia më e madhe e opozitës në Shqipëri duhet të kishte marrë kontakte me BSPSH dhe sindikatat e tjera sepse është ky brez dhe minatorësh që në 1991 bënë ndryshimin. Deri tani ky konsultim ka munguar. Shpresoj në të ardhmen. Në qoftë se opozita shqiptare është për kërkesat që ka BSPSH , sigurisht për problemet tona do i bashkohemi opozitës. Deri tani nuk ka asnjë kontakt”, tha ai.
Kalaja theksoi se ‘kemi besim te PD-ja, tek opozita në lidhje me angazhimet që do marrët sepse ndryshe do trajtohet njësoj si qeveria nga ana jonë’.
“Pa i hequr meritën Ramës për uljen e moshës së pensionit të minatorëve, i bëj apel kryeministrit shqiptar të realizojë statusin e minatorëve dhe çështja e 1%. Minatorët të cilët dalin pas vitit 2014 nuk e kanë përfituar, por që kanë dhe 30 apo 40 vjet punë nën tokë, ndërsa ne e kemi kërkuar 1% deri sa të ekzistojë industria minerare, për të gjithë brezat e minatorëve. Dhe statusin e minatorëve e kërkojmë. A e dini që ka 587 minatorë të vrarë dhe disa prej tyre nuk kanë dalë nga miniera. Mendoj se ka më tepër viktima nëntoka se aviacioni shqiptar. 43 ka pasur aviacioni. Padyshim që qeveria duhet të marrë masat urgjente. Në qoftë se nuk do e japë do dalim para parlamentit, para kryeministrisë deri në realizimin e tyre. Nëse qeveria shqiptare nuk jep përgjigje deri më 20 nëntor ne sigurisht do të dalim në shesh. Në qoftë se opozita angazhohet për realizimin e këtyre kërkesave ne do i bashkohemi opozitës në protestë”, deklaroi ai.
Kalaja bëri dhe një ftesë për kryeministrin dhe ministrat, për të punuar vetëm një ditë në minierë.
“Unë kam nxjerrë minatorë nga nëntoka të vdekur, kur kam qenë në punë nëtokë, mendoj se është një katastrofë për jetën njerëzore që vdesësh i mbuluar nga shkëmbi apo i përvëluar nga gazi metan. Do ishte mirë që kryeministri, apo një nga ministrat që merren me këto probleme të punonin një ditë në minierë. Kam pas ministra me vetë kur kemi bërë vizita dhe nuk e kanë përballuar më shumë se 50 metra. Shikoni se çfarë privilegjesh kanë minatorët e Ballkanit, të Europës. Dhe ne pretendojmë të hyjmë në BE. Mendoj që në qoftë se qeveria është për shqiptarët duhet ta realizojë. Me sa kemi parë deri tani nuk është”, tha Kalaja.
(BalkanWeb)