Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris duhet të kërkojë falje para të gjitha viktimave të Rajhut të Tretë për krahasimin e rivalit të saj republikan Donald Trump me diktatorin nazist Adolf Hitler, ka thënë një i mbijetuar i Holokaustit në një video të publikuar nga fushata e Trump.

Klipi, i cili u postua në mediat sociale të premten, shfaqte Jerry Wartski, një 94-vjeçar i cili kishte qenë i burgosur në kampin famëkeq të përqendrimit Aushvic-Birkenau gjatë Luftës së Dytë Botërore. Wartski e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në SHBA, duke punuar si investitor i pasurive të paluajtshme. Ai është tani një president nderi i Fondacionit Israel Heritage (IHF).

“Adolf Hitler pushtoi Poloninë kur unë isha nëntë vjeç. Ai vrau prindërit e mi dhe shumicën e familjes sonë. Unë di më shumë për Hitlerin sesa që Harris do të dijë ndonjëherë në një mijë jetë,” tha Wartski në video.

“Që ajo të akuzojë Presidentin Trump se është si Hitleri është gjëja më e keqe që kam dëgjuar ndonjëherë në 75 vitet e mia të jetesës në SHBA,” këmbënguli ai.

Të mërkurën, Harris reagoi ndaj intervistave të fundit me ish-shefin e shtabit të Trump, John Kelly, në të cilat ai pretendonte se gjatë kohës së tij në detyrë, 78-vjeçari kishte lavdëruar Hitlerin privatisht dhe tha “më shumë se një herë” se lideri famëkeq i Gjermanisë naziste “bëri disa gjëra të mira”. Ekipi i Trump e ka mohuar pretendimin.

Kandidatja demokrate tha se është “thellësisht shqetësuese dhe tepër e rrezikshme që Donald Trump të kujtonte Adolf Hitlerin”. Komentet e Kelly-t janë “një dritare se kush është në të vërtetë Donald Trump”, shtoi ajo. Më vonë po atë ditë, Harris e quajti kundërshtarin e saj si “një fashist”, një diktator të mundshëm dhe një admirues të figurave autoritare.

“Unë e njoh Presidentin Trump dhe ai kurrë nuk do ta thoshte këtë. Dhe Kamala Harris e di këtë. Ajo u detyrohet prindërve të mi dhe kujtdo që u vra nga Hitleri një falje për përsëritjen e kësaj gënjeshtre”, theksoi Wartski.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb