Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, tregoi detaje se si po i kalon ditët në burg Ilir Meta. Lala tha se ish-presidenti Ilir Meta ka në qelitë ngjitur me të te 313-a, ish-zyrtarë të administratës por edhe drejtues policie, të arrestuar.

Lala tha se Meta është pyetur paraprakisht se me kë ka pasur konflikte, me qëllim që të rriten parametrat e sigurisë për ish-kreun e shtetit. Ajo tha se qelitë e 313-ës janë të populluara edhe nga personazhe të botës së krimit. Një nga kërkesat e Metës, zbuloi Lala, ka qenë ajo për të patur instrumentet e palestrës brenda qelisë së burgut.

“Meta ka qëndruar dy ditë në observim, në izolim, pas caktimit të masës së sigurisë. Është pyetur për të gjitha konfliktet që mund të ketë pasur me të burgosur të tjerë. Tek 313 ka emra të njohur të botës së krimit. Meta ka qenë kryeministër e president e duhet që të sigurohet jeta e tij. Duhet të pyetet çdo person, për të rritur sigurinë. Është kontaktuar kryesisht nga z.Gjokutaj dhe djali i ka dërguar ushqime.

Është dërguar në sektor. Meta ka rrotull ish-zyrtarë të administratës, ish-punonjës të policisë, që nuk përbëjnë rrezik. Një prej tyre është një ish-zyrtar i lartë i policisë. Meta ka kërkuar palestër, ku të bëjë stërvitje. Mendohet se do të qëndrojë në qeli në kohë të pacaktuar, derisa Apeli të vendosë”, tha Lala.

Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.

Prokuroria e Posaçme thotë se Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale”.

Prokuroria thotë se Meta si kryetar Kuvendi, dhe bashkëshortja e tij si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur ndikimin e tyre për të futur në tregun e fibrave optike një kompani dhe kanë përfituar më pas përqindje nga fitimet e kompanisë.

Kryetari i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) Piro Xhixho, për të cilin është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” është thënë se ka ndikuar te drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar gjithashtu se Meta e bashkëshortja, Monika Kryemadhi, nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë eurosh.

Të mërkurën, 23 tetor, GJKKO la në masën e sigurisë arrest me burg për Ilir Metën dhe detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin e Ema Çokun. GJKKO ndryshoi masën për Pirro Xhixhon nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb