Një 31-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, ndërsa dyshohet se ka rënë nga kati i 5-të i një pallati. Bëhet fjalë për shtetasin Mario Rroshi.
Gazetari i News24, Igli Çelmeta, duke zbardhur detajet nga ngjarja e rëndë tha se 31-vjeçari ka shkuar me monopatinë te rruga e Kavajës, ka ndaluar dhe është ngjitur në katin e pestë të një pallati, ka lënë xhupin aty dhe më pas është hedhur.
Sipas gazetarit, 31-vjeçari nuk banonte në rrugën e Kavajës.
Policia e Tiranës njoftoi se rreth orës 20:00 të së shtunës, në Rrugën e Kavajës, përballë qendrës shëndetësore, është gjetur i shtrirë në sheshpushimin e një pallati, shtetasi M. Rr., 31 vjeç, banues në rrugën “Myslym Keta”.
“Menjëherë me marrjen e njoftimit është formuar një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendngjarje dhe nga kryerja e veprimeve hetimore, dyshohet se 31-vjeçari ka rënë nga kati i pestë i pallatit.
31-vjeçari është transportuar në spital, por si pasojë e dëmtimeve ka ndërruar jetë.
Grupi i posaçëm hetimor vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.