Ushtria izraelite është tërhequr nga spitali ‘Kamal Adwan’ në veri të Gazës pasi shkaktoi kërdi dhe shkatërrim brenda dhe jashtë një nga qendrave të pakta mjekësore të mbetura që i shërbenin zonës.
Dëshmitarët okularë për Anadolu thanë se pasi ushtria izraelite u tërhoq, ajo la pas viktima palestineze dhe dëme të shumta brenda dhe jashtë spitalit. Ata theksuan se shtëpitë dhe pronat pranë spitalit u “shkatërruan dhe dogjën” nga forcat izraelite.
Më tej, ata raportuan se forcat izraelite shkatërruan muret e spitalit, së bashku me strehimoret e improvizuara për të zhvendosurit brenda dhe përreth objektit, si dhe qëlluan predha në oborrin e spitalit.
Të premten, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se ushtria izraelite po kryente kërkime dhe po hapte zjarr brenda spitalit. Mëngjesin e ditës së nesërme, ministria konfirmoi se gjatë bastisjes në spital forcat izraelite kishin arrestuar personelin mjekësor mashkull, së bashku me pacientët.
Gjatë ofensivës së saj mbi 1-vjeçare ndaj Gazës, ushtria izraelite shpesh herë ka vënë në shënjestër spitalet, shtëpitë e adhurimit dhe shkollat, objekte civile që janë jashtë kufijve sipas rregullave të luftës.
Zyra për media e qeverisë së Gazës ka bërë të ditur se mbi 820 palestinezë janë vrarë deri më tani në operacionin ushtarak 22-ditor të Izraelit në Gazën veriore, të cilin zyrtarët e Gazës e përshkruajnë si një “fushatë gjenocidi dhe spastrimi etnik”.
Duke shpërfillur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar me ofensivën shkatërruese në Gaza që nga 1 tetori i vitit të kaluar. Afër 43 mijë njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 100 mijë të tjerë janë plagosur.
Për veprimet në Gaza, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.