Partia Demokratike ka intensifikuar takimet me strukturat në terren në prag të protestës së 29 tetorit ora 17.00, e cila është paralajmëruar si mosbindje civile në disa zona të vendit. I deleguari i PD në Degën 4 në Tiranë, Lisandër Hoxha ka mbledhur strukturat për mosbindjen civile, ku të pranishëm kanë qenë edhe drejtuesi politik Belind Këlliçi, deputeti Tomor Alizoti, Koordinatori për Tiranën, Klevis Balliu, si dhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Ilir Alimehmeti.
Gjatë takimit, Hoxha ka theksuar se korrupsioni është kthyer në gangrenë për shqiptarët dhe duhet me çdo kusht mobilizimi qytetar për t’i kthyer vendit votën e lirë.
”Strukturat e PD janë sot e vetmja shpresë per demokracinë. Së bashku me qytetarët ne jemi të pamposhtur në rrugën tonë të sigurtë drejt fitores”, ka thënë ai.
Hoxha shton se “opozita e sheh Ramën si një njeri në panik, i cili e ka të qartë fatin e tij”.
”Arrestimet politike ndaj opozitarëve nuk na ndalin dhe as nuk na pengojnë që të kryejmë misionin tonë historik për të kthyer zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Sot, Demokratët janë shumica morale në shoqëri dhe si të tillë do i imponohemi narkoshtetit me çdo mjet dhe mënyrë demokratike. Të bllokojmë Edi Ramën dhe regjimin e tij me 29 Tetor, që të kthejmë Shqipërinë në normalitet”, u shpreh Hoxha.
Gjatë takimit u shpall gara për Kryetarin e ri të Degës 4 Tiranë dhe u diskutua për rivitalizimin e strukturave të PD për t’u përshtatur me nevojën e një opozite proaktive në terren.
Prezenca politike në të gjithë territorin e Degës 4 dhe fushata derë më derë ishin ndër porositë kryesore që u diskutuan gjatë takimit.
Më 29 Tetor, Opozita ka thirrur një protestë kombëtare, e cila synon paralizimin e të gjitha akseve kryesore të vendit.
Kjo me qëllimin për të negociuar një qeveri besimi, e cila të menaxhojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që pritet të mbahen në pranverën e vitit 2025.
(BalkanWeb)