Afrika e Jugut nesër do të paraqesë një dosje të detajuar kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me qëllim që të vërtetojë rastin e saj të paraqitur më parë se Izraeli po kryen gjenocid në Palestinë.
Një burim diplomatik i Afrikës së Jugut, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se dosja do të dorëzohet gjatë ditës së nesërme.
Ministri i Punëve të Jashtme i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola, për ‘Daily Maverick’ tha se dosja përmban më shumë “prova të detajuara mjeko-ligjore” për të treguar se “ky nuk është thjesht një rast i besueshëm gjenocidi, por në të vërtetë është gjenocid”.
Afrika e Jugut ngriti çështjen e gjenocidit kundër Izraelit në gjykatën me seli në Hagë në fund të vitit 2023, duke theksuar se Izraeli i cili ka bombarduar Gazën që nga tetori i vitit të kaluar, ka dështuar në respektimin e angazhimit të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.
Çështjes së Afrikës së Jugut, e cila filloi seancat dëgjimore në muajin janar, disa vende i janë përfshirë, duke përfshirë Türkiyen, Nikaraguan, Palestinën, Spanjën, Meksikën, Libinë dhe Kolumbinë.
Në muajin maj, gjykata e lartë e OKB-së urdhëroi Izraelin të ndalojë ofensivën në qytetin jugor Rafah në Rripin e Gazës. Kjo ishte hera e tretë që trupi gjykues prej 15 gjyqtarësh lëshoi urdhra paraprake duke kërkuar të frenojë numrin e vdekjeve dhe të lehtësojë vuajtjet humanitare në enklavën e bllokuar, ku numri i viktimave ka kaluar 44 mijë.