Në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) qindra qytetarë kanë marrë pjesë në një marsh protestues në mbështetje të popullit të Palestinës, raporton Anadolu.
Marshi protestues u organizua nga një grup joformal qytetarësh në koordinim me Ambasadën e Shtetit të Palestinës në BeH dhe komunitetit palestinez në BeH.
Një numër i madh qytetarësh u mblodhën në shatërvanin Sebilj, nga ku lëvizën përgjatë shëtitores kryesore në Sarajevë drejt sheshit Bosnjë e Hercegovina ku u organizua një tubim i shkurtër për të shprehur mbështetjen për popullin palestinez.
Qytetarët thërrisnin slogane pro-palestineze dhe shumë prej tyre mbanin flamuj të BeH-së, Palestinës, si dhe të Libanit i cili gjithashtu po përballet me sulmet izraelite.
Qëllimi i marshit ishte ndërgjegjësimi për situatën jashtëzakonisht të vështirë në të cilën ndodhen banorët e Palestinës, veçanërisht në Rripin e Gazës ku që nga 8 tetori i vitit të kaluar nga sulmet izraelite janë vrarë të paktën 42 mijë palestinezë.
Safija Tadefi, një nga organizatorët e tubimit, tha se ky është marshi i shtatë që organizojnë në mbështetje të popullit palestinez.
“Mesazhi ynë kryesor është se ne jemi me popullin palestinez, se dënojmë gjenocidin që aktualisht po ndodh në Gaza, aparteidin dhe spastrimin etnik që po ndodh në të gjithë territorin e Palestinës. Ne dënojmë fuqishëm sulmin izraelit ndaj popullin palestinez, vrajen e civilëve. Më shumë se 40 mijë civilë janë vrarë, prej të cilëve 17 mijë fëmijë”, tha Tadefi.
Një nga organizatorët e tubimit të sotëm ëhstë Amer El Mordeha, i cili tha se janë mbledhur për t’i dërguar një mesazh mbarë botës dhe për të treguar se “gjenocidi nuk do të mbetet i pandëshkuar”.
“Ne kemi të dhëna për nëntë muaj se 17 mijë fëmijë janë vrarë në Gaza. Pas nëntë muajsh nuk kemi asnjë institucion që mund të kontrollojë sa saktësisht tani janë nën rrënoja. Ne po dërgojmë një mesazh nga Sarajeva se ky barbarizëm dhe gjenocid nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Çdo gjë ka kohën e vet, kështu që ashtu siç i mundëm nazistët në Luftën e Dytë Botërore, do t’i mposhtim edhe këta nazistët e epokës së re. E vërteta do të mbizotërojë”, tha El Mordeha.
El Mordeha ka lindur në Sarajevë dhe babai i tij palestinez iku nga Jaffa në Liban si fëmijë.