Kremlini ka thënë të hënën se Rusia po bën gjithçka të mundshme, që t’i lehtësojë përpjekjet për ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme, duke kërkuar përmbajtje nga të gjitha palët.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka bërë komentet, pasi është pyetur për sulmin izraelit në Iran, raporton Reuters.
“Rusia po mban kontakte me të gjitha palët në këtë konflikt. Ne kemi kontakte me Teheranin, me izraelitët dhe palestinezët”, ka thënë Peskovi për reporterët.
“Rusia vazhdimisht po bën gjithçka që është e mundur për t’u bërë thirrje palëve të tregojnë përmbajtje dhe ta lehtësojnë çdo përpjekje për t’i ulur tensionet. Situata është akoma e tensionuar në rajon dhe, sigurisht, është shumë e rëndësishme që tani të promovohet përmbajtja në këtë drejtim”, ka shtuar ai.