Presidentja e Zvicrës, Viola Amherd paralajmëroi se një konferencë mbi konfliktin në Lindjen e Mesme do të organizohet në Gjenevë në muajt e ardhshëm, raporton Anadolu.

“OKB-ja i ka dhënë Zvicrës mandat për të organizuar një konferencë në Gjenevë me përfaqësuesit e lartë të OKB-së lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme. Kjo konferencë do të organizohet në muajt e ardhshëm”, tha Amherd duke iu përgjigjur pyetjes së Anadolut.

Deklarata e saj erdhi gjatë një konference për media të mbajtur në Bern për përfaqësuesit e mediave ndërkombëtare.

“Data nuk është caktuar ende, por do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Do të jetë si Burgenstock”, tha ajo, duke iu referuar samitit të paqes për Ukrainën, i cili u organizua në fillim të këtij viti.

Në lidhje me atë nëse do të ketë një samit të nivelit të lartë si ai për Ukrainën, ajo tha: “Për momentin nuk është planifikuar, por nuk përjashtohet”. Presidentja zvicerane shprehu shqetësim për konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për një rritje të rrezikut të përshkallëzimit.

“Zvicra është jashtëzakonisht e shqetësuar për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe shpërthimin e dhunës në rajon që kërcënon të përkeqësojë më tej situatën”, tha Amherd, duke shtuar:

“Armiqësitë në Gaza, Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, vazhdojnë të shkaktojnë mijëra viktima me një situatë katastrofike dhe një mungesë veçanërisht të madhe të qasjes humanitar në veri të Gazës”, tha Amherd.

Ajo e përshkroi situatën në Liban si “po aq dramatike”, duke theksuar se paqja mund të arrihet vetëm përmes dialogut, de-përshkallëzimit dhe respektimit të ligjit ndërkombëtar.

“Duke pasur parasysh konfliktet e vazhdueshme në mbarë botën, Zvicra mbetet e përkushtuar ndaj traditës së saj për ofrimin e shërbimeve të saj në interes të paqes dhe rindërtimit”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb