Në rubrikën “Opinion” në News24 është debatuar lidhur me votën e diasporës në zgjedhjet e 2025-ës.

Nador Bakalli nga “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” u shpreh se merita kryesore për votën e diasporës është vendimi i Kushtetueses. “Të ishte për PS nuk do e kishte bërë kurrë këtë, janë në pushtet që në 2013. Në samitin e parë të diasporës kemi Kryeministrin që premtonte, erdhi 2020 që sërish e premtuan me propagandë.  Merita e vetme për votën e diasporës është ai vendimi i Kushtetueses”, tha ai.

Por Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ dhe ekspert në çështjet zgjedhore, tha se në 2020 ka qenë Partia Socialiste e cila propozoi dy dispozita që kishin të bënin me votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Gjithsesi Kume tha se si PD ashtu PS nuk kanë qenë asnjëherë dakort lidhur me votën e diasporës.

Ai tha se ajo që po ndodh lidhur me votën e Diasporës sërish ka probleme, pasi së pari Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nuk shprehet që nëse nuk realizohet votimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, zgjedhjet mund të shpallen anti-Kushtetuese.

Gjithashtu Kume tha se ajo që bie në sy është fakti se kostot e postës i bien atyre që votojnë. “Nëse një familje me 4 vetë që jetojnë në Kanada do të hedhin votën me postë, kjo i kushton 400 euro”, tha Kume.

Deputeti socialist Xhemal Qefalia tha se ligji nuk është në përsosmërinë e saj, por ne vendosëm bashkëraisht që ajo të njihet.

Ndërsa deputetja demokrate, Dhurata Çupi, e cilësoi një sfidë votën e diasporës. “Është një sfidë si për forcat politike brenda, ashtu edhe për angazhimin e diasporës për të votuar”, tha Çupi.

Pjesë nga debati

Kume: Në kuadër të reformës zgjedhore në 2020, për herë të parë në Kodin Zgjedhor u përfshinë dy dispozita që kishin të bënin me votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Ato dy dispozita të shtuara në Kodin Zgjedhor ishin propozime të PS-së dhe u pranuan nga PD., e cila dihet se në çfarë situate ishte atëherë, pasi nuk ishte fare në Kuvend.

Por si PS ashtu edhe PD nuk e donin, sepse mënyra se si ishte trajtuar dispozita i linte barrën KQZ që të zgjidhte shumë probleme, që kërkonin vullnet politik. KQZ u përfshi në punën për aktet nënligjore që do të shërbenin për zgjedhjet e 2021. Përgatiti udhëzimin e parë ia dërgoi Rregullatorit, por ai nuk u mblodh asnjëherë për ta trajtuar. Nuk donin partitë politike dhe nuk u bënë, sepse nuk u mblodhën anëtarët.

Xhemal Qefalia: Kume e tha shumë qartë që ishte vullnet politik i PS-së. Mënyra se si u qas problematika pranë KQZ ha kohë për diskutim. Para çdo lloj gare duhet të ketë një unifikim politik të të gjitha forcave politike. KQZ t’i japë zgjidhje sa më parë problemeve.

Dhurata Çupi: 90% i ligjit për votimin e Diasporës janë propozime të PD-së. Projektligjin për votimin e Diasporës e kanë depozituar deputetët e PD-së. Ne kemi qenë dakort dhe e kemi propozuar 1 vit më parë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb