Ecuria e rezultateve pozitive të Teutës u ndërpre nga humbja e thellë me Bylisin, 4-0, në transfertë. Kjo ishte shuplaka e dytë e fortë që kjo skuadër merr në këtë kampionat. Durrsakët ishin mundur 3-0 në Elbasan, kurse për javën e 10-të pësuan 4 gola nga skuadra që mbante vendin e fundit në renditje.
Në total janë 16 gola të pësuar nga skuadra e trajnerit Edi Martini në 10 ndeshje, 10 më shumë sesa Elbasani që mbrojtjen më të mirë. Teuta po ashtu ka pësuar dyfishin e golave në raport me Partizanin dhe Egnatian, dy skuadrat që kryesojnë renditjen. Edhe 4 skuadrat që janë më poshtë se Teuta në renditje, Tirana, Skënderbeu, Bylisi dhe Laçi, kanë pësuar më pak gola. Një situatë vërtet alarmante kjo për “Djemtë e Detit”, me probleme serioze në prapavijë aktualisht dhe nëse nuk ndryshojnë shpejt, do ta kenë shumë të vështirë të bëjnë një sezon të suksesshëm.
SITUATA – Ndeshja e radhës është ajo me Elbasanin, që do të luhet në mesjavë në stadiumin “Niko Dovana”. Për këtë përballje Teuta rigjen një nga shtyllat e prapavijës, siç është Artan Jazxhi, por do të mungojë kapiteni Blerim Kotobelli për shkak se ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë. Në dyshim është edhe mbrojtësi tjetër, Simeu, i cili u zëvendësua që në pjesën e parë për shkak të një dëmtimi. Jazxhi mungoi kundër Bylisit, sepse kishte një shqetësim muskulor në kofshë, që duket se e ka lënë pas dhe do të jetë gati për trajnerin Martini me Elbasanin. Kotobelli, i skualifikuar, është i detyruar që sfidën e radhës do ta ndjekë nga tribuna.
Trajneri i durrsakëve shpreson shumë që deri ditën e ndeshjes të këtë gati edhe Emiliano Vilën, i cili ndaj Bylisit mori një goditje në gju dhe u zëvendësua vetëm pas 10 minutash lojë. Nëse Simeu dhe Vila nuk ia dalin do të jetë vërtet një problem për stafin teknik. Teuta dhe Elbasani do të përballen më 31 tetor në “Niko Dovana”. Durrsakët kanë një “hak” për të marrë ndaj verdhebluve, pasi fazën e parë u mundën me rezultatin 3-0 në Elbasan.